Agim Sulaj
03 Mars 2022•Përditësim: 03 Mars 2022
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), eurodeputeten Viola Von Cramon-Taubadel të shoqëruar me ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Tomas Szunyog, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari Konjufca, sipas njoftimit nga zyra e tij, shprehu mirënjohje për kontributin e eurodeputetes Von Cramon si një zë i fuqishëm në PE për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së.
Ai theksoi se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga institucionet e BE-së përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë.
Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor përballë zhvillimeve në Ukrainë ishte një ndër temat e diskutimit në takimin e kryetarit Konjufca me eurodeputeten Von Cramon.
Në këtë kontekst, kryeparlamentari Konjufca tërhoqi vëmendjen se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike.
Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t'i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.
Eurodeputetja Von Cramon konfirmoi përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, integrimin në familjen e Bashkimit Evropian dhe në strukturat euroatlantike.
Ajo dje është pritur në takim edhe nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, me të cilën diskutuan për hapat konkret që Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë për t’u solidarizuar me popullin e Ukrainës dhe për t’iu bashkuar botës demokratike në dënimin e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë.
Eurodeputetja Von Cramon njihet si mbështetëse e madhe e Kosovës në rrugën e saj drejtë integrimit evropian. Ajo së fundmi bëri thirrje që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës duke arsyetuar se “qytetarët e Kosovës meritojnë qasje të plotë në mekanizmat më të vjetër të Evropës”.