Furkan Abdula
18 Mars 2019•Përditësim: 19 Mars 2019
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se terrori është një telash i përbashkët që shqetëson njerëzimim, duke shtuar se çdo dallim midis terrorizmit është fyerje e madhe ndaj të gjithë njerëzve në përgjithësi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori Yörük, i cili mori pjesë në aktivitetet e organizuara në Shkodër me rastin e 18 Marsit, Ditës së Fitores së Çanakalasë, në një deklaratë për mediat tha se Turqia është vend i cili prej vitesh potencon se terrorizmi nuk ka fe, komb apo përkatësi tjetër dhe se të gjithë duhet ta luftojnë së bashku këtë dukuri.
"Terrorizmi në fakt është telash i përbashkët që është bërë shqetësim për njerëzimin", tha Yörük.
"Çdo lloj dallimi midis terrorizmit është fyerja më e madhe që mund t'i bëhet tërë njerëzve në botë. Terrorizmi nuk ndahet në terrorizëm të mirë dhe të keq. Terrori, terrori ndërkombëtar, të gjitha janë terror", shtoi ambasadori turk.
Yörük më tej tha se zbutja e aktit të agresorit që martirizoi 50 muslimanë në sulmin terrorist ndaj dy xhamive në Zelandë të Re dhe moscilësimi i kësaj vepre si akt terrorist është "shkujdesje dhe neglizhencë".
"Ndjekja e politikave të këtilla dyfytyrëshe dhe ngurruese në luftën kundër terrorizmit nuk do të na sjellë sukses në këtë luftë. Së fundmi, dua të them se si kryesues të radhës të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI), këtë të premte në Stamboll do të realizojmë një takim të jashtëzakonshëm, ku presim të marrin pjesë ministrat e jashtëm të shteteve anëtare. Në këtë takim presim të shkëmbehen mendimi në tema si Islamofobia, racizmi, armiqësia ndaj migrantëve, fenomene në rritje veçanërisht në shoqëritë perëndimore dhe në disa vende të Azisë, dhe të diskutohen masat që do të merren në të ardhmen", deklaroi Yörük.
Ambasadori i Turqisë tha se në këtë mbledhje do të marrë pjesë edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryediplomati Mevlüt Çavuşoğlu.
"Në këtë takim dëshirojmë edhe pjesëmarrjen e Gent Cakajt, ministrit të Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, që është vend anëtar i OBI-t. Ftesën zyrtare do t'ia parashrojmë sot në Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Shpresojmë që ministri i Jashtëm i Shqipërisë të zë vendin e tij në këtë takim historik", theksoi Yörük.
Duke folur edhe mbi ndeshjen që kombëtarja e Shqipërisë në futboll do ta zhvilloj përballë asaj të Turqisë më 22 mars, në kuadër të eliminimeve për Kampionatin Evropian 2020 (EURO 2020), ambasadori Yörük njoftoi se kombëtarja turke dhe stafi drejtues do të arrijnë të enjten në Shkodër, ku do të zhvillojnë stërvitje përgatitore.
"Sipas asaj që kemi dëgjuar, kjo do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Supozoj që njerëz nga Kosova, Maqedonia dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë do të vërshojnë drejt Shkodrës për ta ndjekur ndeshjen. Natyrisht, edhe ne do të vijmë. Me rastin e kësaj ndeshjeje, uroj që ajo të jetë një përballje e bukur në të cilën miqësia dhe vëllazëria midis Turqisë dhe Shqipërisë do të ritheksohet fuqishëm edhe një herë", tha Yörük.
Nga ana tjetër, i pyetur në lidhje me zgjedhjet brenda Komunitetit Musliman të Shqipërisë, ambasadori Yörük tha se "Si ambasador i Republikës së Turqisë, parapëlqej të mos bëj komente për çështje që kanë të bëjnë me punët e brendshme të vendit".
"Tradita jonë e ndërtuar brenda botëkuptimit tonë të zbatimit të politikës së jashtme është të mos përzihemi as në çështjet politike, e as çështje të tjera të vendit ku gjendemi, vendit ku jemi mysafirë. Rrjedhimisht, kjo është çështje e brendshme e vëllezërve tanë në Shqipëri, e popullit shqiptar, dhe përzgjedhje e tyre. Në lidhje me këtë, parapelqejmë të mos komentojmë para kamerave. Në korniza të respektit që kemi për shtetin e Shqipërisë, popullin e Shqipërisë, parapëlqejmë të mos bëjmë komente në lidhje me çështjet e brendshme. Në këtë aspekt, lutemi që të mos na ngatërroni me vende të tjera", theksoi ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.