TIKA vazhdon mbështetjen për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku një tjetër projekt është furnizimi me pajisjen e Laparoskopisë dhe pajisjeve të tjera ndihmëse për Spitalin Rajonal Elbasan
Tiranë
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku një tjetër projekt është furnizimi me pajisjen e Laparoskopisë dhe pajisjeve të tjera ndihmëse për Spitalin Rajonal Elbasan, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e dorëzimit të organizuar në ambientet spitalit ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Entela Ramosaçaj, drejtori i Spitalit Rajonal Elbasan, Agron Gaxho, përfaqësues të tjerë të spitalit, mjekë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Në një deklaratë për mediat, ambasadori Atay u shpreh se ndjen një kënaqësi shumë të madhe për dhurimin e kësaj pajisjeje, që sipas tij është dhuruar nga populli vëlla turk dhe që është shumë e rëndësishme.
"Sigurisht që ne shikojmë pak më me prioritet ndihmat qoftë shëndetësore, qoftë humanitare dhe ndihmat që kanë të bëjnë me zhvillimin, duke nisur nga qyteti i Tiranës, por patjetër nuk lëmë pas dore edhe qytete të tjera të Shqipërisë", u shpreh Atay.
Duke folur për Spitalin Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes, Atay tha se është një nga shembujt më të mirë të autonomisë spitalore dhe theksoi se në këtë spital mjekët shqiptarë dhe turq shkëmbejnë eksperiencat e tyre.
Ambasadori Atay tha se Spitali Rajonal Memorial në Fier që sipas tij quhet spitali i miqësisë, është një spital i cili nuk i shërben vetëm zonës së Fierit, por është një spital që është i hapur për të gjithë.
Zv.ministrja Ramosaçaj falënderoi institucionet turke edhe në emër të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Albana Koçiu.
"Një falënderim i madh edhe ndaj shtetit turk i cili në fakt ka qenë një aleat sidomos për pjesën shëndetësore, i vendit tonë. Politikat tona janë që ne të fuqizojmë spitalet rajonale të cilët në fakt po plotësohen, po kompletohen, jo vetëm me rikonstruksione, me punime civile të cilat ia kanë ndryshua totalisht fytyrën spitaleve tona, por njëkohësisht me pajisje të teknologjisë së fundit", tha ajo.
Ramosaçaj theksoi se një pajisje e tillë i shton vlerat spitalit, sipas saj, edhe duke bërë të mundur dhe reduktimin e infeksioneve spitalore.
Drejtori Gaxho falënderoi qeverinë turke dhe përfaqësuesit e institucioneve turke në Shqipëri për ndihmën për spitalin.
"Është finalizim i një përpjekjeje të përbashkët me TIKA-n. Jam shumë i kënaqur për shërbimin që do t'u ofrohet qytetarëve të Elbasanit, duke ulur ditët e qëndrimit dhe minimizuar infeksionet në sallë", tha Gaxho.
Projekt i TIKA-s përfshin furnizimin me pajisje të Laparoskopisë dhe pajisjeve të tjera ndihmëse për Spitalin Rajonal Elbasan.