BALLKANI

Tragjedia në Koçani, policia ndalon kryetarin e dorëhequr të komunës dhe dy-ish kryetarët e mëparshëm

Prokuroria Publika njoftoi se operacioni për ndalimin e personave të dyshuar për përfshirje në rastin tragjik do të vazhdojë gjatë gjithë natës, ndërsa informacione shtesë do të jepen gjatë ditës së nesërme

Abdulbesar Ademi  | 21.03.2025 - Përdıtësım : 21.03.2025
Tragjedia në Koçani, policia ndalon kryetarin e dorëhequr të komunës dhe dy-ish kryetarët e mëparshëm Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Autoritetet policore janë duke zhvilluar një operacion me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit lidhur me procedurën për zjarrin që shpërtheu në lokalin e natës në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën të paktën 178 të tjerë, transmetpn Anadolu.

Sipas informacioneve të para, autoritetet policore kanë ndaluar kryetarin e dorëhequr të Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, si dhe dy ish-kryetarët e kësaj komune, Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski.

Prokuroria Publika njoftoi se operacioni për ndalimin e personave të dyshuar për përfshirje në rastin tragjik do të vazhdojë gjatë gjithë natës, ndërsa informacione shtesë do të jepen gjatë ditës së nesërme.

Nga atje njoftuan se kreu i komunës në dorëheqje, Papazov, është marrë në pyetje më 17 mars dhe ka dhënë disa sqarime dhe informacione.

“Një deklaratë e tillë po krahasohet me materialin dëshmues dhe kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë”, theksuan nga Prokuroria Publike.

Dimitrovski ishte kryetar i Komunës së Koçanit në vitet 2009-2017, Iliev në vitet 2017-2021, pas çka këtë post e ka mbajtur Papazov deri në njoftimin e tij për dorëheqje.

Deri më tani, sipas autoriteteve, duke përjashtuar tre të fundit, hetimet e nisura të organeve gjyqësore përfshijnë 26 persona.

Në orët e para të 16 marsit, në një lokal nate në Koçani në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor shpërtheu një zjarr nga shkëndijat e mjeteve piroteknike, duke çuar në vdekjen e 59 personave dhe rreth 178 të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas autoriteteve të vendit, lokali që u përfshi nga zjarri së fundmi ka vepruar me një “licencë të falsifikuar”, megjithëse edhe më herët me vite ka vepruar pa i plotësuar dhe pa i zbatuar kushtet dhe rregulloret e kërkuara sipas standardeve për klub nate.

Duke filluar nga e hëna, Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie për tragjedinë në Koçani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.