BALLKANI

Tubim në Shkup, kërkohet transparencë dhe përgjegjësi pas zjarrit tragjik në Koçan

Tubimi u organizua nga iniciativa “Kush është i radhës?”, e cila kërkoi publikimin e gjithë dokumentacionit të veprimtarisë së klubit të natës në të cilën ndodhi fatkeqësia e 16 marsit.

Shpetim Hiseni  | 29.03.2025 - Përdıtësım : 31.03.2025
Tubim në Shkup, kërkohet transparencë dhe përgjegjësi pas zjarrit tragjik në Koçan Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt tubim para parlamentit me kërkesë për transparencë dhe përgjegjësi pas tragjedisë së zjarrit në një klub nate në Koçani rreth dy javë më parë, nga i cili jetën humbën 59 persona, raporton Anadolu.

Tubimi u organizua nga iniciativa “Kush është i radhës?”, e cila kërkoi publikimin e gjithë dokumentacionit të veprimtarisë së klubit të natës në të cilën ndodhi fatkeqësia e 16 marsit.

Duke theksuar se si iniciativë kanë dyshime nëse institucionet do ta ushtrojnë drejtësinë në nivel të mirë, Borjan Eftimov nga iniciativa “Kush është i radhës?” tha: “Prandaj, kërkojmë publikimin transparent dhe të plotë të dokumentacionit në lidhje me veprimtarinë e klubit ‘Pulse’ nga viti 2012 e deri më sot”.

Kërkesa i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Ministrisë së Ekonomisë, Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimtarisë, Inspektoratit Shtetëror për Urbanizëm, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, vetëqeverisjes lokale në Koçan, Inspektoratit lokal të Ndërtimit dhe organit konsultativ për siguri dhe parandalim pranë Komunës së Koçanit.

Ndërkaq, Igor Antov, po ashtu pjesë e iniciativës, parashtroi kërkesat në aspektin e sigurisë, duke kërkuar krijimin e një shërbimi elektronik qytetar për ndjekjen e punës së inspektoriatit për të siguruar transparencën.

“Propozojmë që të krijohet një e-inspektorat i shërbimit civil, i cili do të mundësojë funksionim transparent të të gjitha inspektorateve në vend, në mënyrë që çdo qytetar të mund të shohë se cili objekt dhe objekt i është nënshtruar inspektimit dhe cilët jo”, tha Antov.

Gjatë tubimit u vendos edhe një banderolë e madhe me mbishkrimin “Sistemi është i radhës”.

- Ngjarja

Rreth orës 3:00 pas mesnate më 16 mars, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate, i shkaktuar nga lëndë piroteknike gjatë një mbrëmjeje zbavitëse.

Nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe mbi 170 të tjerë u lënduan. Dymbëdhjetë prej të lënduarve u transportuan në Istanbul dhe Ankara për trajtim me aeroplanët ambulancë të dërguar nga Türkiye.

Nga hetimet pas ngjarjes rezultoi se objekti në fjalë ishte i palicencuar, ndërsa autoritetet nisën procedura hetimore ndaj të paktën 34 personave, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli shtatë ditë zie kombëtare pas incidentit.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen pas ngjarjes.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın