BALLKANI

Türkiye i dhuron pajisje ushtarake Maqedonisë së Veriut

"Ky donacion i ardhur nga Türkiye dëshmon edhe njëherë miqësinë e vërtetë dhe të qëndrueshme ndërmjet popujave tanë", tha ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Misajllovski

Dzihat Aliju  | 30.08.2024 - Përdıtësım : 01.09.2024
Türkiye i dhuron pajisje ushtarake Maqedonisë së Veriut Foto: Dzihat Aliju / AA

Shkup

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Türkiyes dhuroi pajisje ushtarake për Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve ushtarake të mbajtur në kazermën Ilinden në Shkup morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneralmajor Sashko Llafçiski, zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm Azim Nuredin, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, zv.ministri i Mbrojtjes, Elfet Ismaili, Atasheu Ushtarak i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, kolonel Recai Yılmaz dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij në ceremoni, ministri Misajllovski tha se sot janë dëshmitarë jo vetëm të një aleance në veprim, por edhe të miqësisë dhe lidhjes së ndërsjellë që është e dukshme për më shumë se 30 vjet.

Duke uruar 30 gushtin - Ditën e Fitores, Misajllovski tha: "Ky donacion i ardhur nga Türkiye dëshmon edhe një herë miqësinë e vërtetë dhe të qëndrueshme ndërmjet popujve tanë. Me rastin e këtij granti, i cili do të mundësojë forcimin e kapaciteteve të ushtrisë sonë dhe rrjedhimisht paqen, sigurinë dhe stabilitetin e aleancës, në emër të popullit maqedonas dhe ushtrisë së tij shpreh falënderimet për popullin dhe shtetin turk".

Ai theksoi se se Türkiye është një mike dhe partnere e dëshmuar e vendit të tij dhe se mbështetja e Türkiyes ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në modernizimin e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut me pajisje të reja dhe moderne në përputhje me standardet e NATO-s. Misaylovski tha se ata kanë bashkëpunim të madh me Türkiyen në fushën e mbrojtjes.

Ai tërhoqi vëmendjen se misionet e tilla si Misioni i Mbështetjes Vendimtare në Afganistan, KFOR-i në Kosovë dhe Althea në Bosnjë e Hercegovinë, në të cilat marrin pjesë së bashku Türkiye dhe Maqedonia e Veriut, kanë forcuar besimin e ndërsjellë. "Ne në asnjë mënyrë nuk e harrojmë solidaritetin që ju keni ofruar gjatë krizës së Covidit në vitin 2020. Në të njëjtën mënyrë edhe mbështetjen tuaj në luftën kundër zjarreve që rrethuan shtetin kohët e fundit. Türkiye ishte vendi i parë që dërgoi mbështetje ajrore me dy avionë dhe një helikopter", tha Misajllovski.

Gjithashtu edhe Lafçiski uroi 30 gushtin - Ditën e Fitores dhe tha se sot nuk është vetëm festë e Türkiyes, por në të njëjtën kohë edhe simbol i forcës së miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Duke theksuar se ata u bashkuan për të konfirmuar vendosmërinë e tyre për të ndërtuar dhe forcuar partneritetin që u ka sjellë atyre shumë përfitime ndër vite, Lafçiski tha: "Türkiye është vendi ynë vëllazëror që ka treguar shumë herë mbështetje dhe miqësi të sinqertë. Ndihma e vazhdueshme që marrim nga Türkiye për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne".

"Me këtë donacion i cili përfshin pajisje të ndryshme, kemi konfirmuar suksesin e bashkëpunimit dypalësh. Forcimi i aftësive të forcës sonë ushtarake është çelësi i stabilitetit dhe sigurisë së vendit tonë. Bashkëpunimi me Türkiyen është gjithashtu një shtyllë e këtij procesi", tha Lafçiski.

Ambasadori Ulusoy vuri në dukje se pajisjet ushtarake të dorëzuara nuk janë vetëm një grant. Ai shtoi se ato janë simbol i mbështetjes së tyre për forcimin e aftësive mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut.

Ai shprehu kënaqësinë që dorëzimi përkoi me 30 gushtin - Ditën e Fitores, e cila ka një kuptim të madh në aspektin ushtarak për Türkiyen. "Marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet e thella historike, kulturore dhe njerëzore. Fakti që veterani Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi Türkiyes ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Manastir është një nga manifestimet e marrëdhënieve tona të rrënjosura thellë", tha Ulusoy.

"Türkiye ka bërë përparim të madh në çdo fushë, nga industria e mbrojtjes te transporti, nga ekonomia te energjia, nga arsimi te shëndetësia. Ne arritëm eksport prej 5.5 miliardë dollarë vitin e kaluar duke eksportuar 230 lloje produktesh në 185 vende në industrinë e mbrojtjes. Sot, 50 vende përdorin sistemet pa pilot të prodhuara nga kompanitë turke. Ne jemi bërë një vend që zhvillon marrëdhëniet tona, me qasjen 'fito-fito', përfshirë industrinë e mbrojtjes. Jemi shumë të kënaqur që aftësitë tona në fushën e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes i ndajmë me vendet mike dhe vëllezërit tanë si Maqedonia e Veriut", tha Ulusoy.

Ai tha se që nga pavarësia e deri më tani, me Maqedoninë e Veriut ashtu si në çdo fushë marrëdhëniet ushtarake i kanë ndërtuar mbi baza të forta duke vendosur bashkëpunim shumë produktiv.

Ulusoy për të pranishmit përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe theksoi vendosmërinë e tyre për të vazhduar rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen bashkë me periudhën e re.

Pas fjalimeve, atasheu ushtarak i Ambasadës së Shkupit, kolonel Recai Yılmaz dhe shefi i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Kërste Malinkovski nënshkruan protokollin e grantit.

Granti i dhënë në kuadër të protokollit për ushtrinë e Maqedonisë së Veriut, përbëhet nga dronë, pajisje komunikimi, syze për shikim natën dhe pajisje për mbrojtje.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.