Vazhdojnë protestat para Bashkisë së Tiranës
Protesta është organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës
Tiranë
Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", organizuar nga partitë opozitare dhe aktivistë, raporton Anadolu.
Protesta e radhës është organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij në protestë u shpreh se do të vazhdojnë të protestojnë me çdo mjet demokratik.
"Vetëm bashkë mund ia dalim", tha Teliti, duke iu drejtuar protestuesve.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës,Tedi Blushi, tha se me protestën kërkojnë drejtësi.
"Ne jemi këtu çdo javë dhe kërkojmë drejtësi, por për fat të keq drejtësia i ka mbyllur sytë", u shpreh Blushi.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore, ndërkohë nuk u shënuan përplasje me policinë.
Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.