Vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës"
Edhe protesta e sotme nisi me tensione për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve nga protestuesit në rrugën para selisë së Bashkisë së Tiranës
Tiranë
Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", që organizohen për muaj me radhë nga partitë opozitare dhe me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile, raporton Anadolu.
Protesta u organizua nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe sipas organizatorëve për hetimin e rasteve të korrupsionit.
Edhe protesta e sotme nisi me tensione për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve nga protestuesit në rrugën para selisë së Bashkisë së Tiranës.
Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se "do të vijojmë betejën më të vendosur se kurrë".
Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij u shpreh se rezistenca bëhet për Tiranën dhe Shqipërinë, sipas tij "për ta çliruar nga kthetrat e korrupsionit".
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, duke iu drejtuar protestuesve u shpreh: "Të bashkohemi për të ndryshuar Shqipërinë".
Fjalime mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të partive politike, disa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë.
- Protestat
Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat kundër kryebashkiakut Veliaj nisën në fillim të prillit 2024 dhe rifilluan sërish.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit të kaluar të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.