BALLKANI

Vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Shqipërisë

Deputetët e opozitës që janë përjashtuar për të ndjekur punimet e parlamentit kanë tentuar të hyjnë në sallën e seancave plenare, ndërkohë nuk janë lejuar nga punonjësit e Gardës, duke vazhduar tensionet

Fatjon Cuka  | 17.10.2024 - Përdıtësım : 17.10.2024
Vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Shqipërisë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensionet, pasi deputetët e opozitës të përjashtuar nga punimet e parlamentit janë përplasur sot me punonjësit e Gardës, raporton Anadolu.

Tensionet nisën para fillimit të seancës në ambientet e jashtme të sallës së seancave parlamentare, ku deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), të përjashtuar për të marrë pjesë në seancë plenare për shkak të tensioneve në seancën e kaluar, u përplasën me punonjësit e Gardës së Shqipërisë.

Për të penguar hyrjen me forcë të deputetëve të përjashtuar, para hyrjes kryesore të sallës se seancave ishte vendosur një gardh metalik, ndërkohë deputetët opozitar tentuan disa herë që të hyjnë në ambientet e brendshme të sallës dhe të djegin një banderolë.

Deputetët e PD-së që janë përjashtuar për të ndjekur punimet e parlamentit kanë tentuar të hyjnë në sallën e seancave plenare, ndërkohë nuk janë lejuar nga punonjësit e Gardës, duke vazhduar tensionet.

Tensionet vazhduan edhe në ambientet e brendshme të sallës së seancave plenare, ku disa deputetë të opozitës grumbulluan karrige pranë foltores dhe penguan diskutimet e deputetëve.

Pas tensioneve, seanca vazhdoi vetëm me prezencën e deputetëve të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), ku u miratuan disa projektligje.

Kuvendi i Shqipërisë fillimisht u përfshi nga tensionet më 30 shtator, ku deputetët e opozitës pas përplasjeve dhe tensioneve brenda sallës së seancës dogjën edhe karriget e tyre në ambientet e jashtme të parlamentit.

Për shkak të tensioneve në seancën e kaluar, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën pranë Kuvendit të Shqipërisë përjashtoi nga punimet e Kuvendit 24 deputetë të opozitës, prej tyre tre me dy muaj, 20 deputetë me 40 ditë dhe një deputet me 10 ditë.

Tensionet nisën për shkak të dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili aktualisht ndodhet në burg. Salianji është akuzuar nga autoritetet se disa vite më parë ka publikuar një audio-përgjim të rremë në lidhje me trafikun drogës dhe përfshirjen e një të afërmi të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.

Më 26 shtator të vitit 2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë la në fuqi vendimin e dhjetorit të vitit 2019 të shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji për veprën penale "kallëzim i rremë".

PD pretendon se vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë dhe politik dhe ka paralajmëruar vijimin e bllokimit të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe protesta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın