"Veprimet për shtetasit rusë të arrestuar në Shqipëri janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës"
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ), ka reaguar në lidhje me pretendimet e Ambasadës së Rusisë në Tiranë mbi çështjen e arrestimit të shtetasve rusë për incidentin në një uzinë ushtarake
Tiranë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka reaguar në lidhje me pretendimet e Ambasadës së Rusisë në Tiranë se MEPJ prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi arrestimin e shtetasve rusë për incidentin në një uzinë ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga ministria thuhet se sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gazmend Turdiu, deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ-së lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë.
"MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë", thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, ministria është e gatshme të vë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës.
Sipas ministrisë, autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse sipas saj, Konventa e Vjenës përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.
"Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë", thuhet në njoftim.
Në një reagim në një media në Shqipëri, Ambasada e Rusisë në Tiranë pretendoi se MEPJ nuk e ka informuar në lidhje me shtetasit rusë të arrestuar për incidentin në bazën ushtarake.
Incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh
Më 20 gusht, ndodhi një incident në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku sipas autoriteteve shqiptare dy shtetas rusë dhe një shtetas ukrainas tentuan të hyjnë në uzinë, ndërkohë kanë përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë.
Për ngjarjen në Gramsh shtetasit e huaj u arrestuan për veprat penale "Goditja për shkak të detyrës", "Dhënia e informatave sekrete" dhe "Sigurimi i informatave", kryer në bashkëpunim, ndërkohë ndaj tyre gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg.
Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes në Gramsh, u ndaluan nga policia katër shtetas çekë të dyshuar se po realizonin fotografi në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan, në Qarkun e Beratit, ndërsa do të hetohen në gjendje të lirë.
Në lidhje me incidentin në Gramsh, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se do të ketë një hetim të plotë rreth ngjarjes.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.