BALLKANI

"Vetëm gjysma e të rinjve në Kosovë punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar"

Osmanaj tha se raporti i fundit i FES-it vë në pah sfidën e emigrimit të të rinjve si një nga problemet me të cilat mund të përballet Kosova në dekadën e ardhshme

Agim Sulaj  | 19.11.2024 - Përdıtësım : 20.11.2024
"Vetëm gjysma e të rinjve në Kosovë punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar" Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vetëm gjysma e të rinjve të Kosovës punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar, raporton Anadolu.

Në prezantimin e raportit "Studimi i Rinisë 2024", nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES), ku u prezantua gjendja dhe prirjet e brezit të ri në Kosovë, kryeministri Kurti tha se ky fakt e nënvizon më tutje rëndësinë që arsimi të jetë ndërdisiplinar dhe t'u japë të rinjve shkathtësi të transferueshme.

Kurti tha se përkushtimi ndaj vlerave evropiane tek rinia kosovare vazhdon të dominojë, ku 89 për qind e të rinjve kosovarë e dëshirojnë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE).

"Ekonomia e Kosovës (rritja ekonomike) demokracia e Kosovës (progresi demokratik) është i tillë që tregon se ky vend ia vlen fort të jetosh, të banosh e të punosh në të dhe për të", theksoi Kurti.

Egzon Osmanaj, menaxher i programit në FES, shpalosi disa nga gjetjet e raportit të bazuar në anketat me të rinjtë në Kosovë. Ai tha se raporti i fundit i FES-it vë në pah sfidën e emigrimit të të rinjve si një nga problemet me të cilat mund të përballet Kosova në dekadën e ardhshme.

"Papunësia dhe korrupsioni kanë zënë vend edhe në raportet e kaluara të FES-it, megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme është sfida e tretë që tash është bërë e rëndësishme që është emigrimi, i cili nuk ka qenë në raportet e kaluara ndërsa në këtë raport përmendet si një prej sfidave që Kosova do të përballet në dekadën e ardhshme", theksoi ai.

Sipas Osmanajt edhe pse të rinjtë deklarojnë më shumë si preferencë të studiojnë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe shkencat mjekësore, pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të ndjekin studime në shkenca sociale, ekonomi, juridik.

Po ashtu, raporti ka bërë edhe matjet e frikës në raport me disa situata ku përqindja më e madhe janë përgjigjur se kanë frikë nga lufta, derisa të tjerë nga sëmundjet e rënda.

Anketat me të dhënat nga 9.500 pjesëmarrës nga terreni për raportin e FES-it janë marrë nga periudha 9 shkurt 2024 deri më 25 mars 2024 me moshat 14 deri në 29 vjeç.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın