Viti i Ri në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, pa festimet tradicionale nëpër sheshe
Këtë vit, ndërrimi i motmoteve u prit ndryshe nga vitet e kaluara për shkak të pandemisë së koronavirusit
Shkup/Tiranë/Prishtinë
Në kryeqendrat e vendeve të rajonit, këtë vit, ndërrimi i motmoteve u prit nën hijen e pandemisë së koronavirusit (COVID-19) pa ndonjë festim zyrtar sikurse vitet e kaluara, raporton Anadolu Agency (AA).
Maqedoni e Veriut
Viti i Ri 2021 në Maqedoninë e Veriut u prit pa festë zyrtare në sheshe dhe vende të tjera publike për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në sheshin "Maqedonia" në qendër të Shkupit, për shkak të masave të marra kundër përhapjes së COVID-19, kremtimi tradicional i Vitit të Ri nuk u mbajt dhe nuk kishte fishekzjarrë tradicionalë që janë simbol i Vitit të Ri, megjithatë, disa qytetarë vendosën të ecin nëpër shesh gjatë ndërrimit të motmoteve. Atmosfera ishte e ngjashme edhe në qytete të tjera në gjithë vendin.
Shumica e qytetarëve e festuan Vitin e Ri në një atmosferë shtëpiake, në rrethin familjar.
Në Maqedoninë e Veriut është në fuqi ndalimi i organizimit të festimeve për Vitin e Ri në hapësirë të hapur dhe të mbyllur, për të gjithë qytetarët, komunat, organizatat e punës, si dhe ndalimi i punës pas orës 18:00 në objekte hotelierike.
Po ashtu është i ndaluar tubimi në grupe prej më shumë se katër personash në hapësira publike.
Shqipëri
Në Shqipëri ndërrimi i viteve është shënuar në një atmosferë ndryshe nga vitet e kaluara, ndërkohë, nuk kanë munguar fishekzjarrët.
Qytetarët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit kanë pritur ndërrimin e viteve në shtëpitë e tyre, ndërkohë nuk ka pasur festime me pjesëmarrjen e tyre në sheshe për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.
Institucionet vendore në Tiranë përveç stolisjes së qytetit, organizuan edhe hedhjen e fishekzjarrëve, duke krijuar edhe atmosferë festive.
Ndërkohë, për festën e Vitit të Ri kanë përcjellë mesazhe urimi për qytetarët drejtuesit më të lartë të vendit, si presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama.
Kosovë
Institucionet qendrore por edhe ato lokale të Kosovës nuk kanë organizuar festë këtë vit me rastin e ndërrimit të motmoteve për shkak të pandemisë.
Sheshet e shumicës së komunave në Kosovë janë stolisur me rastin e Vitit të Ri, megjithëse organizim kolektiv për pritjen e ndërrimit të motmoteve këtë vit nuk ka pasur në asnjë qytet.
Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, gjendet ende në zonën e kuqe me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së koronavirusit bashkë me 15 komuna të tjera, gjë që ka bërë që qytetarët të mos mund të dalin pas orës 20:00 nga shtëpitë për shkak të orës policore, por festa ka vazhduar nga shtëpitë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.