BALLKANI

Von der Leyen në Shkup: Për mua është e rëndësishme të mos shikojmë shumë nga e kaluara, por të shikojmë nga e ardhmja

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për ndryshimet kushtetuese, shefja e Komisionit Evropian theksoi se ata do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut në çdo hap deri në anëtarësimin e plotë

Abdula Berisha  | 24.10.2024 - Përdıtësım : 25.10.2024
Von der Leyen në Shkup: Për mua është e rëndësishme të mos shikojmë shumë nga e kaluara, por të shikojmë nga e ardhmja Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga kryeministri Hristijan Mickoski, raporton Anadolu.

Pas ceremonisë me nderimet më të larta, Mickoski dhe von der Leyen zhvilluan një takim dypalësh, pas çka u mbajt takimi i të dy delegacioneve.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimeve, von der Leyen theksoi se ka pasur një takim shumë të mirë dhe një shkëmbim të shkëlqyer të mendimeve me kryeministrin Mickoski, duke shtuar se është shumë e kënaqur që Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne kemi një objektiv shumë të qartë në horizont. Dhe kjo është hapja e grup-kapitullit fundamental sa më shpejt të jetë e mundur. Pothuajse jemi aty, e dimë se këtu janë ndryshimet kushtetuese që vendi juaj është zotuar t'i zbatojë dhe siç thatë ju, tani kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim dhe dialog. Shpresoj që të gjitha forcat politike në vend të bashkohen për të bërë këtë hap vendimtar përpara dhe jam e bindur, ashtu si ju, se ne mund të tejkalojmë pengesat që janë ende atje”, tha von der Leyen.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për ndryshimet kushtetuese, shefja e Komisionit Evropian theksoi se ata do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut në çdo hap deri në anëtarësimin e plotë, duke përfshirë zbatimin e zotimit që Maqedonia e Veriut e ka marrë si shtet.

“Sigurisht që duhet të punojmë për ndryshimet kushtetuese. Për mua është shumë e rëndësishme. Natyrisht, është në interes të Maqedonisë së Veriut që të jetë e suksesshme dhe prandaj dua t'ju siguroj se do të ndihmojmë në çdo hap përpara që të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët. Mund të mbështeteni tek ne dhe për mua është e rëndësishme të mos shikojmë shumë nga e kaluara, por të shikojmë nga e ardhmja. Ne duam të shkruajmë së bashku kapitullin tjetër të së ardhmes sonë të përbashkët”, tha von der Leyen.

Shefja e Komisionit Evropian theksoi se zgjerimi do të mbetet prioritet i lartë i Komisionit Evropian edhe në pesë vitet e ardhshme. Ajo tha se vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar agjendat e tyre reformuese, ndërsa vlerësoi lartë agjendën e paraqitur nga Maqedonia e Veriut.

“Maqedonia e Veriut ka bërë një punë të shkëlqyer, është një agjendë e shkëlqyer reformash që kemi dhe tani mund të fillojmë me para-financim prej 52 milionë euro deri në fund të vitit, dhe në total Maqedonia e Veriut do të marrë më shumë se 750 milionë euro sipas për Planin e Rritjes”, tha von der Leyen.

Ajo foli edhe për planin e përbashkët investues për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se ky plan gradualisht jep rezultate të qëndrueshme.

“Në Maqedoninë e Veriut, plani tashmë ka mobilizuar 1.7 miliardë euro investime dhe do të fokusohet në kalimin drejt energjisë së pastër”, tha von der Leyen.

Ajo theksoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e mbrojtjes kufitare, duke theksuar se ekipet e FRONTEX-it kanë ndihmuar në pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut në dy vitet e fundit.

Gjatë qëndrimit në Shkup, von der Leyen u takua edhe me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Në kuadër të turneut të saj ballkanik, dje ajo ka qëndruar në Shqipëri, ndërsa këtë pasdite udhëton për në Bosnjë e Hercegovinë, pas çka do të vizitojë edhe vendet e tjera të rajonit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.