Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, mbahet sërish protestë për "sigurinë e fëmijëve”
Protesta e organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile ka mbledhur para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhjetëra qytetarë dhe nxënës, të cilët kanë kërkuar nga institucionet më shumë siguri për fëmijët në shkolla
Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur sërish protestë me moton “Për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”, pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij disa ditë më parë, raporton Anadolu.
Protesta e organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile ka mbledhur së bashku para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhjetëra qytetarë dhe nxënës, të cilët kanë kërkuar nga institucionet më shumë siguri për fëmijët në shkolla.
Me pankartat me mbishkrimet "Institucionet e papërgjegjshme vrasin", "Kush përgjigjet për jetët e humbura", "Dorëheqja është për të fortët, të dobëtit mbahen pas karriges", protestuesit theksuan se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për ngjarjen ku mbeti i vrarë një nxënës.
Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, mbahet sërish protestë për "sigurinë e fëmijëve” https://t.co/ODEVkmDoMw pic.twitter.com/Cv2rOhHwdj
Protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe parashtruan edhe disa kërkesa të tjera.
Pjesëmarrësit në protestë kanë kërkuar shtimin e buxhetit për arsimin në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), heqjen e celularëve në orët e mësimit, rritjen e sigurisë në shkolla, ku sipas tyre çdo shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë dhe rritjen e numrit të psikologëve në shkolla.
Një protestë e ngjashme u mbajt në Tiranë edhe më 21 nëntor, ndërkohë, sipas organizatorëve, një nga qëllimet e organizimit të protestave është edhe sensibilizimi i institucioneve për marrjen e masave shtesë për të garantuar sigurinë në ambientet e shkollave.
- Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë
Më 18 nëntor, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.
Në një reagim pas ngjarjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit theksoi se siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut i bashkëpunimit mes kësaj ministrie dhe institucioneve të tjera.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar nisjen e një konsultimi dhe këshillimi publik me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, lidhur me bllokimin e plotë të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Nisma në fjalë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij dhe pas rasteve të ndryshme të ekspozimit online të konflikteve mes të miturve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.