BALLKANI

Vuçiq: Brenda 72 orëve do të njoftoj hapat e Serbisë lidhur me krizën në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi hapa të rinj pas takimit me ndërmjetësin e BE-së, Lajçak dhe ambasadorin e SHBA-së në Beograd, Hill

Bedrudin Brljavac  | 10.09.2024 - Përdıtësım : 10.09.2024
Vuçiq: Brenda 72 orëve do të njoftoj hapat e Serbisë lidhur me krizën në Kosovë Foto: Filip Stevanoviq/AA

Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar në Beograd përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjet tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, raporton Anadolu.

Pas takimit, Vuçiq deklaroi se brenda 72 orëve do ta informojë opinionin për hapat e rinj të Serbisë lidhur me krizën e Kosovës, duke shtuar se do të flasë edhe për atë që nuk ka përmbushur bashkësia ndërkombëtare dhe çfarë kërkon Serbia.

"Do të flas për atë që kërkon Serbia dhe për shkak të sulmit esencial dhe brutal ndaj popullatës serbe, para së gjithash në veri të Kosovës dhe çfarë është ajo që nuk e ka përmbushur bashkësia ndërkombëtare", tha Vuçiq.

Ai shtoi se pritet që gjatë tetorit të dalë para Parlamentit të Serbisë me propozime të gjera.

"Albin Kurti dëshiron shkatërrimin e popullit serb dhe kjo nuk është e qartë vetëm për ne, por edhe për botën", tha Vuçiq. Ai po ashtu tha se Serbia në periudhën e ardhshme duhet të luftojë për pozitën e vendit dhe aleatëve në botë.

Sipas tij, për lëvizjet e fundit të Kurtit, nga bota vijnë vetëm dënime dhe asgjë më shumë. "Tani është plotësisht e qartë se Albin Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb", theksoi Vuçiq.

Vuçiq u takua me Lajçakun sot në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës së Serbisë.

Lajçak ka njoftuar të hënën se pas qëndrimit në Prishtinë, do të vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës "në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve" mes dy palëve.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq në njoftimin për vizitën e Lajçakut në Beograd ka bërë të ditur se shumë shpejt pritet një takim në Bruksel, si dhe se do të dëgjohen gjëra më konkrete për veprimet e autoriteteve në Kosovë.

Takimi i fundit i negociatorëve kryesorë është mbajtur në Bruksel më 2 qershor, ndërsa takimi i nivelit më të lartë është mbajtur më 26 qershor, por më pas nuk ka pasur takim mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın