Vuçiq takim me Varhelyin: Serbia është e gatshme për hapa të rinj drejt BE-së
“Ritheksova se Serbia është thelbësisht dhe teknikisht e gatshme për hapa të rinj drejt përafrimit dhe anëtarësimit në BE, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, integrimin ekonomik dhe social”, ka thënë Vuçiq
Beograd
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka biseduar sot me Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, transmeton Anadolu.
Takimi u zhvillua para drekës së punës që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, organizoi me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Vuçiq ka njoftuar në rrjetet sociale se ka pasur një “bisedë të mirë dhe të hapur me mikun e sinqertë të Serbisë”, komisionerin Varhelyi, për progresin e Serbisë në procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), zbatimin e agjendës së reformave dhe zbatimin e Planit Evropian të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Ritheksova se Serbia është thelbësisht dhe teknikisht e gatshme për hapa të rinj drejt përafrimit dhe anëtarësimit në BE, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, integrimin ekonomik dhe social dhe falënderova Komisionerin Evropian për mbështetjen e tij në këtë rrugë. Shfrytëzova rastin për ta informuar komisionerin për situatën shqetësuese në Kosovë dhe kërkova një përfshirje më aktive të institucioneve evropiane në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se e falënderoi atë për angazhimin dhe kontributin e tij personal në rrugën evropiane të Serbisë gjatë mandatit të tij si Komisioner për Zgjerim dhe i uroi suksese në detyrën e ri, për të cilën është propozuar, në përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.