Abdula Berisha
09 Korrik 2019•Përditësim: 10 Korrik 2019
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një konferencë për media ka shprehur keqardhje se ishte viktimë e bisedave fiktive telefonike, raporton Anadolu Agency (AA).
Nëpër mediat sociale u publikuan incizime në të cilat kryeministri Zaev bisedon gjoja me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko. Mirëpo, bëhej fjalë për manipulim nga komedianët rusë Alexei Stolyarov dhe Vladimir Kuznetsov, ku viktimë ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Zaev shprehu keqardhje duke thënë se është një "ndjenjë e hidhur", por theksoi se gjatë bisedës në asnjë moment nuk ka zbuluar sekrete shtetërore.
"Atë që mund ta them, është se e pranoj që jam viktimë e të qenurit i hapur dhe vazhdimisht i kapshëm për të gjithë. Jam në linjë të hapur me të gjithë partnerët tanë strategjik si dhe me qytetarët", tha Zaev.
Në bisedat telefonike janë diskutuar çështje të ndryshme nga vendi dhe nga rajoni, ku përmenden tema aktuale si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësia për korrigjim të kufijve. Në lidhje me këtë, Zaev tha se thjeshtë ka përsëritur qëndrimet zyrtare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa u shpreh se kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e vendit me shtetet e rajonit. Në këtë aspekt, Zaev gjithashtu u shpreh i gatshëm për të kërkuar falje.
Ai tha se Maqedonia e Veriut është përzgjedhur qëllimisht, pasi vendi është në prag të anëtarësimit të plotë në NATO dhe ka aspirata evropiane. Zaev gjithashtu tha se ky është një alarm i ri i cili shfaq nevojën për luftë gjithëpërfshirëse kundër lajmeve të rrejshme dhe manipulimeve.