Zelenskyy thotë se mbështet armëpushimin 30-ditor në infrastrukturën energjetike të shpallur nga Putin dhe Trump
“Ne gjithmonë kemi mbajtur qëndrimin për të mos sulmuar sektorin e energjisë me asnjë armë”, tha presidenti ukrainas

Moskë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha sot se do të mbështesë një armëpushim 30-ditor në infrastrukturën energjetike, të shpallur më herët gjatë ditës nga presidenti rus dhe ai amerikan pas bisedës së tyre telefonike, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë shtypi në Kiev, Zelenskyy tha: “Ne gjithmonë kemi mbajtur qëndrimin për të mos sulmuar sektorin e energjisë me asnjë armë”.
Ai gjithashtu konfirmoi një tjetër shkëmbim të të burgosurve të luftës të martën, me 175 ushtarakë që do të shkëmbehen nga secila palë, duke thënë se është informuar për këtë çështje nga shërbimet e inteligjencës ukrainase.
Në lidhje me situatën në rajonin rus të Kurskut, Zelenskyy tha se trupat ukrainase vazhdojnë të luftojnë atje dhe se ai nuk do të japë urdhër për t’u tërhequr, duke shtuar: “Për momentin, ne kemi nevojë për këtë operacion”.
Më herët gjatë ditës, presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan Donald Trump diskutuan normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, perspektivat për zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës dhe situatën në Lindjen e Mesme në një telefonatë që zgjati dy orë e gjysmë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.