Andelija Stojkovic
21 Mars 2023•Përditësim: 22 Mars 2023
Zv/kryeministri italian dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, tha sot në Beograd se Evropa është e ardhmja e rajonit të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.
“Ne mbështesim pranimin e Serbisë dhe duam që Ballkani sa më parë të bëhet pjesë e BE-së, edhe politikisht”, tha Tajani në konferencën për media pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Ai shtoi se “është i sigurt se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor quhet Evropë”.
Tajani bëri të ditur se në fillim të muajit prill do të organizojë një takim të ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor në Romë, për të konfirmuar angazhimin e Italisë ndaj idesë se Ballkani është pjesë e Evropës.
Ai e quajti Vuçiqin “njeri i paqes” dhe tha se negociatat për çështjen e Kosovës nuk ishin të lehta, por se Vuçiqi është meritorë për faktin se situata në Ballkan sot është më e qetë.
“Serbia mund të luajë një rol vendimtar që do të garantonte stabilitet në një rajon, që do të kontribuonte në zgjidhjen e çështjes së migrimit dhe më shumë për mundësinë e zgjidhjes së konflikteve të luftës që ishin prezente në këto zona”, tha Tajani.
Ai gjithashtu tha se qeveria e re e Italisë është përcaktuar që të vendosë politikën ndaj Ballkanit si prioritet strategjik.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me rastin e marrëveshjes evropiane për Kosovën dhe aneksit për zbatimin e saj, tha se ajo është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë kur ajo të nënshkruhet ose vuloset diçka ose verbalisht pajtohet me të dhe se askush përveç presidenti dhe në disa raste kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme mund të nxjerrë pasoja juridike për Serbinë.
“Serbia do të përmbushë dhe do të punojë në zbatimin e gjithçkaje që ka thënë se do të bëjë, përkundër faktit se nuk mendoj se Prishtina do ta përmbushë detyrimin e saj të vetëm – formimin e asociacionit të komunave serbe”, tha Vuçiç në konferencë për media.
Ai përsëriti se nuk bëhet fjalë për njohje të Kosovës, anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe organet e OKB-së, duke shtuar se është i gatshëm të bisedojë për gjithçka tjetër që çon në marrëdhënie më të mira me shqiptarët.
Vuçiç tha se Italia gjithmonë e ka mbështetur Serbinë si në rrugën evropiane ashtu edhe në forumet ndërkombëtare dhe se nuk ka ndjekur kurrë një politikë presioni ndaj Serbisë.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik me Italinë, e cila është investitori i dytë më i madh i huaj dhe e cila punëson rreth 22 mijë veta në Serbi, si dhe njoftoi fillimin e prodhimit të makinave elektrike në fabrikën e Kragujevcit.