Agim Sulaj
09 Dhjetor 2019•Përditësim: 10 Dhjetor 2019
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka organizuar panel diskutimi me përfaqësues të institucioneve të Kosovës për të drejtat e njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Në diskutimin “Të drejtat e njeriut në Kosovë: Sfidat dhe mundësitë” morën pjesë përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avokati i Popullit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Zv/shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, tha se disa përvoja me viktima gra e fëmijë në Kosovë tregojnë se sistemi mbrojtës i viktimave në vend ka nevojë të përmirësohet. Serri shtoi se është mirë që tashmë është rritur vetëdija qytetare dhe këto raste diskutohen në shoqëri në kuptimin e gjetjes së zgjidhjes.
“Avokati i Popullit normalisht ka një rol të rëndësishëm në këtë çështje. Rekomandimet e tij janë vendimtare dhe në këtë pikë të gjitha institucionet kanë obligim për ta prioritizuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Qeveria duhet të bëjë zbatimin e politikave”, tha Serri, duke shtuar se qeveria duhet të ketë strategji të reja dhe objektiva të qarta për të drejtat e njeriut.
Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, theksoi se ka mangësi të koordinimit të institucioneve të Kosovës për të punuar për të drejtat e njeriut. Ai tha se “nga sistemi ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor ka mangësi sistematike dhe këto prekin në të drejtat individuale që pastaj përkeqësojnë situatën”.
Jashari si shembull për këtë theksoi se nuk ka pasur deri më tani asnjë rast që një udhëheqës i ekzekutivit të ndëshkohet për shkak të moszbatimit të ligjeve apo mosmbajtjes së përgjegjësive mbi bazën e autorizimeve ligjore.
“Kosova veç e dini është vendi i vetëm në Ballkan i cili është i përjashtuar, kushtimisht, prej kontrollit të mekanizmave ndërkombëtare që në këtë rast i bije Gjykata Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg, e që përbën vrimë të zezë në Ballkan sa i përket mundësisë së qytetarëve të vendit për të shfrytëzuar këtë mekanizëm”, tha Jashari.
Koordinatorja e Zyrës për Qeverisje të Mirë, Sadete Demaj-Kajtazi, njoftoj se qeveria kosovare është në finalizim të planit për mbrojtjen e fëmijëve dhe theksoi se në Kosovë ka korniza ligjore, por se mungon zbatimi i tyre.
Sipas saj, kohën e fundit ka pasur një “angazhim dhe reagim më serioz të institucioneve në rekomandimet e Avokatit të Popullit, të cilat shkojnë në funksion të përmirësimit të legjislacionit dhe politikave”.
10 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Ajo shënohet si përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua më 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha vendet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.