Zyra e Guvernatorit të Edrenesë organizoi program iftari në Kosovë
Kryeministri Kurti tha se agjërimi i Ramazanit mëson se sakrifica është virtyt dhe të mirat janë bekim.

Prizren
Platforma e Edrenesë për Bashkëpunim të Qyteteve Ballkanike, e themeluar nën kryesimin e Zyrës së Guvernatorit të Edrenesë, organizoi program iftari në qytetin e Prizrenit, raporton Anadolu.
Në këtë iftar morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Guvernatori i Edrenesë, Yunus Sezer, Ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) njëherësh Ministër i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe ministra, kryetarë komunash, deputetë nga Türkiye dhe Kosova, si dhe përfaqësues të shumë institucioneve turke që punojnë në Prizren.
Në fjalën e tij këtu, kryeministri Kurti tha se agjërimi i Ramazanit mëson se sakrifica është virtyt dhe të mirat janë bekim.
Kryeministri Kurti tha se muslimanët në Muajin e Ramazanit përsosin vetitë, zakonet dhe synimet e veprave dhe se “Ramazani është thirrje për qetësi, paqe, solidaritet dhe mirësi për të gjithë, andaj, le t'i përgjigjemi kësaj thirrje çdo ditë të vitit, sikurse secilën ditë të këtij muaji”.
Guvernatori i Edrenesë, Sezer, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se Ramazani është muaji i qetësisë, paqes dhe vëllazërisë.
"Gjëja më e bukur e Ramazanit është se ai i bashkon njerëzit, gjithë botën islame, dhe ne e kuptojmë mungesën dhe praninë në të njëjtën tryezë, masim durimin dhe lutemi për gjithë botën islame dhe njerëzimin në botë”, tha ai.
Ndërkaq, ambasadori Angılı theksoi rëndësinë e qytetit të Prizrenit dhe Edrenesë në rajon dhe shprehu mirënjohjen e tij për guvernatorin Sezer për punën e tij në forcimin e urave ekzistuese të kulturës dhe vëllazërisë mes qyteteve në Ballkan.
Pas fjalimeve, guvernatori Sezer i dhuroi një dhuratë kryeministrit të Kosovës, Kurti.
Pas Prizrenit, Platforma e Edrenesë për Bashkëpunim të Qyteteve Ballkanike, në kuadër të së cilës u organizua iftari, do të vazhdojë programet e saj të iftarit në Strumicë të Maqedonisë së Veriut dhe në Ksant, Komotini të Greqisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.