Lavrov: Rusia është e gatshme të bisedojë me Perëndimin për Ukrainën
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se vendi i tij është gjithmonë i gatshëm të dëgjojë propozimet për uljen e tensioneve
Istanbul
Rusia ende është e gatshme të negociojë me partnerët e saj perëndimorë për Ukrainën, tha sot ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Udhëheqja ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, mbetet e gatshme për negociata mbi Ukrainën", tha Lavrov në një intervistë për televizionin lokal, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Ai shtoi se Moska "do të jetë gjithmonë e gatshme të dëgjojë se çfarë propozimesh kanë partnerët perëndimorë për uljen e tensioneve".
"Gatishmëria e Rusisë, përfshirë presidentin e saj, për negociata (mbi Ukrainën) mbetet e pandryshuar", tha Lavrov.
Ai theksoi se bisedimet do të ishin të mundshme nëse qasja ndaj Moskës do ishte me propozime realiste të bazuara në parimet e barazisë dhe respektimit të interesave reciproke dhe që synojnë gjetjen e një kompromisi dhe balancimin e interesave të të gjitha vendeve.
Sipas të dhënave të Agjencisë së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, 6.374 civilë janë vrarë dhe të paktën 9.776 janë plagosur. Agjencia thekson se shifrat aktuale mund të jenë dukshëm më të larta.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.