Ministri i Mbrojtjes: Tajvani është "plotësisht i përgatitur" për çfarëdo pushtimi nga Kina
Ushtria tajvaneze zhvillon stërvitje mujore, duke gjuajtur me obuse, mortaja dhe armë automatike
Istanbul
Ministri i Mbrojtjes së Tajvanit, Chiu Kuo-cheng sot deklaroi se ushtria është "plotësisht e përgatitur" për të mbrojtur vendin kundër çfarëdo pushtimi kinez, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ushtria e Tajvanit do të jetë ‘plotësisht e përgatitur’ për çfarëdo pushtimi kinez, nëse Pekini vendos të ecë përpara ose të shtyjë afatin kohor të supozuar për ta bërë këtë”, tha ministri i Mbrojtjes Kuo-cheng.
Deklarata e tij erdhi ndërsa ushtria tajvaneze zhvilloi një stërvitje me municion të vërtetë sot herët "duke simuluar përdorimin e topave dhe tankeve për të zbrapsur forcat pushtuese kineze", raportoi agjencia zyrtare "Focus Taiwan".
Stërvitjet u mbajtën në qarkun Penghu në det.
"Ushtria e di se çfarë duhet të bëjë, qoftë në sekondën apo në orën e ardhshme ndërsa përgatitet për luftë. Nuk do të rrijë duarkryq nëse Pekini do të ecë përpara apo do të tërhiqet (nga afati i saj kohor për të pushtuar ushtarakisht Tajvanin), ata do të kenë afatin e tyre kohor dhe do t'i kushtojë vëmendje shenjave dhe në përputhje me rrethanat do të bëjë parashikime për zhvillimet e mundshme", tha Kuo-cheng.
Ministri përsëriti "nevojën që ushtria të mbrohej nëse do të përballonte "goditjen e parë" nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (PLA).
"Njësoj sikur nëse dikush përpiqet t'ju shtyjë, ju duhet t'i shmangeni ose ta dëboni atë", tha ai.
Në qarkun Penghu, ushtria tajvaneze mbajti stërvitjen mujore, duke gjuajtur me obusë, mortaja, mitralozë dhe armë automatike "në drejtim të forcave të simuluara të armikut që sulmojnë një plazh".
Kina e konsideron Tajvanin si "provincën e saj të shkëputur" ndërsa Tajvani insiston në pavarësinë e saj që nga viti 1949, duke vendosur marrëdhënie diplomatike me 14 vende.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.