Qiproja Turke: Forcat e huaja me mision në këto territore duhet të marrin leje nga autoritetet e TRNC-së
"Forcat Paqeruajtëse të OKB-së nuk mund të ushtrojnë mision në territore me miratimin e dhënë nga e ashtuquajtura ‘Republika e Qipros‘. Prej muajsh e kam ngritur në rendin e ditës, kjo nuk është një temë surprizë për OKB-në"
Nikosia
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Tahsin Ertuğruloğlu, ka deklaruar se TRNC-ja është shtet sovran i popullit turk qipriot dhe tha se forcat e huaja që do të kryejnë mision në këto territore duhet të marrin lejen e autoriteteve të TRNC-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
I ftuar në Radio Televizionin Bayrak, ministri Ertuğruloğlu foli rreth deklaratave të tij lidhur me Forcën Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Duke iu referuar deklaratës së tij se "Qëndrimi i tyre (Forcave Paqeruajtëse të OKB-së) ka përfunduar. Ose të nënshkruajnë marrëveshje me TRNC-në ose të tërhiqen nga TRNC-ja", Ertuğruloğlu theksoi se i "duket e çuditshme që ngrihet në rendin e ditës si një çështje e re".
"Kemi dhënë pëlqimin tonë që Forcat Paqeruajtëse të OKB-së të kryejnë misionin prej vitesh, duke u dhënë atyre statusin e mysafirit. Ata ishin në dijeni se ne prej disa muajsh po kryenim përgatitjet tona për këtë çështje. Unë prej muajsh u kam thënë se do të vijmë para tyre me një kërkesë të tillë. U kam thënë se mund të punohet nëse e mirëpresin, nëse jo mund të diskutohet në tryezë. Forcat Paqeruajtëse të OKB-së nuk mund të ushtrojnë mision në territore me miratimin e dhënë nga e ashtuquajtura ‘Republika e Qipros‘. Prej muajsh e kam ngritur në rendin e ditës, kjo nuk është një temë surprizë për OKB-në. Nuk e bëjmë këtë për frikësim, por ne themi se forcat e huaja mund të kryejnë mision nëse lejohet nga ana jonë. Nëse Forcat Paqeruajtëse të OKB-së do të kryejnë misionin në ishull, le ta kryejnë atë, ne nuk jemi kundër që të kryejnë mision në anën e Qipros Greke ose në zonën ndërmjetëse, por nëse do të kryejë mision në anën turke ata duhet të marrin leje tek ne", deklaroi Ertuğruloğlu.
- "Nuk e pranojmë që të injorohet e vërteta se ka dy shtete dhe dy popuj të ndarë"
Duke theksuar se disa qarqe që e tërheqin çështjen në pika të ndryshme nuk kanë qëllim të mirë, Ertuğruloğlu tha se nuk ndodhen në pozicionin për të kërkuar falje për këtë çështje dhe se nuk e pranojnë që të injorohet e vërteta se "ka dy shtete dhe dy popuj të ndarë".
Më tej, Ertuğruloğlu theksoi se TRNC-ja është shtet sovran i popullit turk qipriot dhe se forcat e huaja që do të kryejnë mision në këto territore duhet të marrin lejen e autoriteteve të TRNC-së.
"Nuk kemi për qëllim që në një mënyrë të mbyllim territoret e TRNC-së për botën", tha Ertuğruloğlu, duke shtuar se përkundrazi do të ishin të lumtur që me botën të "kontaktojnë në mënyrën dhe statusin e merituar".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.