Bisedimet për Sirinë ne Gjenevë

"Shkëmbimi i të burgosurve Rusi-Ukrainë është një shembull tjetër për rolin e rëndësishëm të Türkiye-s"

Shkëmbimi i 215 robërve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës është një shembull tjetër i rolit të rëndësishëm të Türkiye-s në rajon, sipas ekspertit amerikan të sigurisë dhe politikës së jashtme, Luke Coffey

Beyza Binnur Dönmez  | 23.09.2022 - Përdıtësım : 26.09.2022
"Shkëmbimi i të burgosurve Rusi-Ukrainë është një shembull tjetër për rolin e rëndësishëm të Türkiye-s"

Ankara

Shkëmbimi i 215 robërve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës është "një shembull tjetër i rolit të rëndësishëm të Türkiye-s në rajon", ka thënë Luke Coffey, ekspert amerikan për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.

"Shkëmbim i fundit i të burgosurve është një shembull tjetër i rolit të rëndësishëm të Türkiye-s në rajon në përpjekjen për të gjetur paqen dhe stabilitetin", tha për Anadolu Agency (AA) Coffey, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, "think-tank" amerikan dhe institut kërkimor.

"Për arsye gjeografike, ekonomike, politike dhe historike, Türkiye konsideron se ka një rol të veçantë në rajonin e Detit të Zi. Ajo që pamë në lidhje me marrëveshjen e drithit, si dhe me afrimin e Türkiye-s ndaj Moskës dhe Kievit për bisedimet e paqes, është një shembull i shkëlqyer i një roli të rëndësishëm të Türkiye-s”, tha Coffey.

Matt Bryza, analist dhe ish-diplomat amerikan, tha për AA se shkëmbimi i të burgosurve ishte "një shembull tjetër i aftësisë së diplomacisë turke në mbajtjen e kanaleve të komunikimit të hapura nga të dyja palët".

Bryza, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik me bazë në Washington, tha se Moska do të arrinte një pikë ku do t'i duhet një ndërmjetës për t'i dhënë fund luftës.

“Do të vijë një kohë kur presidenti (Vladimir) Putin do të pranojë atë që tashmë është e qartë, se Rusia nuk mund ta fitojë luftën në Ukrainë, dhe për këtë arsye në atë moment ai do të dëshirojë të de-përshkallëzojë konfliktin dhe do të ketë nevojë për një ndërmjetës”, tha Bryza.

Bryza beson se Putini po dërgon sinjale se ai e kupton "se situata nuk po shkon sipas planit të tij, siç pretendonte ai në mënyrë të rreme gjatë këtij pushtimi".

"Ai e di se mobilizimi i 300 mijë burrave rusë është thellësisht i papëlqyeshëm. Prandaj, unë e shoh lirimin, veçanërisht të pesë të burgosurve britanikë dhe dy amerikanë, si një shenjë se Putini po dërgon sinjalet e para se ai po përgatitet për ndërmjetësim dhe Türkiye mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë”, tha ai.

Presidenti i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi të mërkurën se 200 të burgosur lufte ishin shkëmbyer mes Rusisë dhe Ukrainës si rezultat i komunikimeve diplomatike që ai zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi presidentin Erdoğan "për rolin e tij udhëheqës në çlirimin e popullit tonë".

Ndërkohë, Rusia njoftoi se Kievi kishte liruar 55 ushtarë të saj.

Shkëmbimi i 10 robërve të tjerë të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës të mërkurën u ndërmjetësua gjithashtu nga Arabia Saudite. Me këtë rast u liruan dy amerikanë dhe pesë shtetas britanikë, si dhe një shtetas maroken, një kroat dhe një suedez.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın