Ali H. M.Abo Rezeg
12 tetor 2017•Përditësim: 12 tetor 2017
GAZA (AA) – Grupet rivale palestineze Hamas dhe Fatah kanë arritur një marrëveshje pas bisedimeve të mbajtura që nga e marta në kryeqytetin egjiptian, Kajro, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ismail Haniyeh (shefi i Hamasit) ka njoftuar se një marrëveshje u arrit të enjten në mes lëvizjes Fatah dhe Hamas nën kujdesin e Egjiptit”, tha Taher al-Nuno, këshilltar i mediave të Hamasit. Al-Nuno nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e marrëveshjes.
Mediat palestineze raportuan se dy fraksionet palestineze do të mbajnë një konferencë shtypi më vonë në Kajro për të njoftuar detajet e marrëveshjes.
Delegatët nga Grupi i rezistencës palestineze me bazë në Rripin e Gazës, Hamas dhe Lëvizjes palestineze Fatah me bazë në Bregun Perëndimor filluan bisedimet e pajtimit të martën e kaluar në kryeqytetin egjiptian për t’i dhënë fund përçarjes dhjetëvjeçare mes tyre.
Kajro aktualisht është duke udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund ndarjes politike mes dy grupeve palestineze.
Javën e kaluar, kryeministri i Palestinës, Rami Hamdallah, mbajti takimin e parë të kabinetit të tij në Gaza, që kur qeveria e unitetit u hartua në vitin 2014, për një hap të madh drejt pajtimit palestinez.
Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës kanë mbetur politikisht dhe administrativisht të ndara që nga viti 2007, kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës nga Fatah, pas luftimeve disa ditore.