Adham Kako
04 Shkurt 2020•Përditësim: 05 Shkurt 2020
Ushtarët turq veprojnë në Idlib të Sirisë veriperëndimore, rajon në afërsi të kufirit turk, për të parandaluar zhvendosjen e katër milionë civilëve dhe për të siguruar strehimin e tyre në një mjedis relativisht të sigurt.
Forcat e regjimit të Bashar al-Assadit të mbështetura nga Rusia dhe Irani kanë vazhduar sulmet ndaj civilëve në Idlib, ndërkohë që Turqia po përpiqet përmes rrugëve ushtarake dhe diplomatike për të ndaluar dhunën dhe valën e emigracionit.
Së fundmi, forcat e regjimit të Assadit sulmuan ushtarët turq të vendosur në Idlib, duke vrarë tetë persona, përfshirë shtatë ushtarë dhe një civil.

Anadolu Agency (AA) ka përmbledhur në dhjetë pyetje zhvillimet për të hedhur dritë mbi situatën në Idlib.
- 1. Ku gjendet Idlibi?
Idlibi, rajon me katër milionë banorë, gjendet në Sirinë veriperëndimore, përballë provincës turke Hatay.
- 2. Çfarë bëjnë ushtarët turq në Idlib?
Si pasojë e sulmeve të Assadit, Rusisë dhe Iranit, njerëzit në Idlib ikin drejt kufirit turk. Ushtria turke përpiqet të sigurojë një mjedis të sigurt për të penguar valën milionëshe të emigrantëve. Duke vepruar në pikat e vëzhgimit, ata përpiqen për zbatimin e armëpushimit.
- 3. A ka bazament ndërkombëtar prania e ushtrisë turke?
Ushtria vendosi njësitë e saj në Idlib në kuadër të marrëveshjeve të Astanës të arritura me Rusinë dhe Iranin, vende garantuese të regjimit të Assadit.
- 4. Si i zbatojnë marrëveshjet Rusia dhe Irani?
Dy vendet, të cilat kanë firmosur marrëveshjet në të cilat pjesëmarrëse është edhe Turqia, në vend të pengimit të sulmeve të regjimit të Assadit, i japin atij mbështetje aktive.
- 5. Çfarë synon të bëjë në Idlib regjimi i Assadit?
Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, Regjimi i Assadit përpiqet ta shtyjë tërë popullatën e Idlibit drejt kufirit turk. Bombardon vendbanimet civile. Banorët e Idlibit i konsideron si "terroristë".
Mbi 1.800 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të regjimit në Idlib që nga marrëveshja e Socit më 17 shtator 2018.
- 6. Çfarë bën Irani në Idlib?
Garda Revolucionare e Iranit përdor kundër civilëve dhe grupeve të armatosura grupet terroriste që përbëhen nga milici të sjella nga Irani, Afganistani dhe Pakistani. Grupet e përbëra nga mijëra terroristë besojnë se zhvillojnë luftë të shenjtë për besimin e tyre sektar.
- 7. Sa njerëz janë detyruar të migrojnë?
Vetëm nga fillimi i vitit 2019, një milion e 640 mijë civilë kanë ikur në afërsi të kufirit të Turqisë si pasojë e sulmeve në Idlib. Kjo shifër kalon mbi dy milionë nëse së bashku me njerëzit zhvendosur para vitit 2019.
- 8. Pse regjimi i Assadit sulmoi ushtarët turq?
Regjimi i Assadit dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani e shohin praninë e ushtarëve turq si pengesë në detyrimin e popullatës civile për të migruar. Për këtë arsye, kërkojnë largimin e Turqisë nga rajoni.
- 9. Çfarë bëri dhe çfarë po bën Turqia kundër sulmit?
Trupat turke të vendosura në Idlib goditën me mbi 100 predha artilerike 54 objektiva të regjimit, duke neutralizuar 76 pjesëtarë të regjimit. Po ashtu, janë duke vazhduar kundërpërgjigjet ndaj elementeve të regjimit që përbëjnë kërcënim.
- 10. Si e mbështet ushtria turke praninë e saj në Idlib?
Ushtria turke siguron mbështetje ushtarake dhe logjistike për pikat e vëzhgimit në Idlib, përmes autokolonave që përbëhen nga tanke, autoblinda dhe transportues dhe stafe ushtarake. Ndërkaq, forcat ajrore turke hyjnë në rajon në koordinim me Rusinë.