18 izraelitë të lënduar duke ikur drejt strehimoreve pas lëshimit të raketës nga Jemeni
Ushtria pretendoi se ka interceptuar raketën përpara se të hynte në territorin izraelit
Sana
Të paktën 18 izraelitë u lënduan sot herët ndërsa po nxitonin drejt strehimoreve në Tel Aviv, pas një lëshimi rakete nga Jemeni, të cilin ushtria izraelite tha se është interceptuar, transmeton Anadolu.
Sipas ushtrisë, raketa u ndalua përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite, me sirenat e alarmit që tingëlluan në zonat qendrore të vendit, duke përfshirë zonën metropolitane të Tel Avivit.
Shërbimet e urgjencës nuk raportuan lëndime të drejtpërdrejta apo dëme materiale nga raketa, por konfirmuan se 18 persona u lënduan gjatë nxitimit për në strehimore.
Pas lëshimit të raketës, disa fluturime nga Evropa në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion u vonuan, me operacionet e uljes që rifilluan rreth 30 minuta më vonë.
Ndërkohë, zëdhënësi ushtarak i grupit jemenas Houthi, Yahya Saree, konfirmoi se grupi ka ekzekutuar “tri operacione të rëndësishme ushtarake”.
“Ne kryem një operacion ushtarak me cilësi të lartë duke synuar aeroportin Ben Gurion me një raketë balistike hipersonike të tipit ‘Palestina-2’”, tha Saree në një deklaratë.
Ai konfirmoi se raketa arriti me sukses objektivin e saj pavarësisht përpjekjeve të ushtrisë izraelite për ta mbajtur të fshehur sulmin.
Përveç sulmit në aeroport, Saree vuri në dukje se një sulm me dron kishte në shënjestër edhe një objekt jetik në Tel Aviv.
“Operacioni goditi me sukses objektivin e tij”, shtoi ai, megjithëse nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi objektin.
Zëdhënësi i Houthive raportoi gjithashtu një sulm të tretë që kishte në shënjestër një anije të quajtur “Santa Ursula” në Detin Arabik, në lindje të ishullit Socotra, për “shkelje të ndalimit për të hyrë në portet e kontrolluara nga Izraeli”.
Mbrëmë, Houthit raportuan se sulmet ajrore izraelite në Aeroportin Ndërkombëtar të Sanas dhe në provincën Al-Hudaydah vranë gjashtë persona dhe plagosën 40 të tjerë.
Sulmet e fundit janë pjesë e një modeli të veprimit ushtarak izraelit në Jemen këtë vit. Më 20 korrik, sulmet ajrore izraelite në portin Al-Hudaydah thuhet se kanë vrarë dhjetëra dhe kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme materiale, të vlerësuara nga zyrtarët Houthi në 20 milionë dollarë.
Më 29 shtator, forcat izraelite kryen sulme të gjera ajrore në Jemenin perëndimor, duke përfshirë portet Al-Hudaydah dhe Ras Isa.
Së fundmi, më 19 dhjetor, Izraeli shënjestroi stacionet e energjisë në Sana, Al Hudaydah, Salif dhe Ras Isa, duke rezultuar në nëntë të vdekur, tre të plagosur dhe dëmtime të rënda të infrastrukturës. Sulmet lanë qindra mijëra pa energji elektrike.
Houthit kanë vënë në shënjestër Izraelin, si dhe anijet të destinuara drejt apo të nisura nga Izraeli në Detin e Kuq, në solidaritet me popullin palestinez në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 45.300 njerëz që nga tetori i vitit 2023.
SHBA-ja dhe Britania kanë bombarduar gjithashtu objektiva të grupit Houthi në Jemen.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.