3 të vdekur nga përmbytjet në veri të Italisë
Dy nga viktimat u gjetën sot pasi automjetet e tyre kishin ra në një gropë të hapur, ndërsa personi i tretë u gjet i bllokuar dje brenda shtëpisë së tij

Istanbul
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që nga dita e djeshme kanë marrë jetën e tre personave në veriperëndim të Italisë, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik ‘Rai News’, dy nga viktimat u gjetën sot pasi automjetet e tyre kishin ra në një gropë të hapur, ndërsa personi i tretë u gjet i bllokuar dje brenda shtëpisë së tij.
Rajoni Piedmont është përballur me një mot të ashpër që nga dita e djeshme pasi shiu i rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme çuan në përmbytje.
Autoritetet italiane vendosën rajonin në një alarm të kuq, respektivisht në nivelin më të lartë të paralajmërimit, pasi lumenjtë vërshuan dhe shërbimet rrugore dhe hekurudhore u ndërprenë.
Edhe pse sot u raportua një “përmirësim i lehtë”, rajoni Piedmont mbetet në gatishmëri portokalli për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga lumenjtë.
Moti ekstrem ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe ka lënë disa shtëpi të izoluara. Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar në të gjithë rajonin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.