Meiramgul Kussainova
13 Tetor 2022•Përditësim: 13 Tetor 2022
Në deklaratën përmbyllëse të Samitit të 6-të të Konferencës për Bashkëpunimin dhe Masat e Ndërtimit të Sigurisë në Azi (CICA) të mbajtur në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, u vendos që të fillojë kalimi gradual i CICA-s në një organizatë ndërkombëtare të plotë, raporton Anadolu Agency (AA)
AA arriti në deklaratën përmbyllëse të Samitit të 6-të të CICA-s.
Në deklaratë, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare pjesëmarrëse në samit vendosën të iniciojnë kalimin gradual të CICA-s në një organizatë ndërkombëtare të plotë.
Në deklaratë, ku liderët ranë dakord të forcojnë bazën institucionale të CICA-s për të përcaktuar fusha gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimin e bazuar në të ardhmen midis vendeve anëtare gjatë procesit të transformimit, thuhet: "Ne do të forcojmë punën tonë të përbashkët brenda organizatës sonë për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta për problemet e shekullit të 21-të për një rajon të sigurt dhe të begatë dhe për të siguruar që konfliktet të zgjidhen në mënyrë paqësore në përputhje me Kartën e OKB-së".
Më tej thuhet se si hapi i parë i procesit të transformimit të CICA-s në një organizatë ndërkombëtare, takimet në formatin e këshillit do të zhvillohen si takime dhe samite të nivelit të lartë dhe drejtori ekzekutiv i CICA-s do të quhet Sekretar i Përgjithshëm.
Në deklaratë thuhet se Kuvajti u pranua si anëtari i 28-të i plotë i CICA-s.
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se liderët ranë dakord që Kazakistani të mbajë presidencën e mandatit të CICA-s deri në vitin 2024.
- Çfarë është CICA?
E krijuar si homologe aziatike e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), CICA kryen studime në 5 drejtime kryesore: ekonomike, mjedisore, njerëzore, sfidat dhe kërcënimet e reja dhe ushtarako-politike.
Me seli në Astana të Kazakistanit, CICA ka 28 anëtarë të plotë dhe 9 vëzhgues.
Vendet anëtare janë: Türkiye, Kazakistani, Azerbajxhani, Afganistani, Bahreini, Bangladeshi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani, Iraku, Izraeli, Jordania, Katari, Kamboxhia, Kirgistani, Egjipti, Mongolia, Pakistani, India, Koreja e Jugut, Palestina, Sri Lanka, Kina, Taxhikistani, Tajlanda, Rusia, Vietnami, Uzbekistani dhe Kuvajti.
SHBA-ja, Bjellorusia, Indonezia, Japonia, Malajzia, Filipinet, Ukraina, Turkmenistani dhe Laosi marrin pjesë në CICA si vëzhgues.
- Samiti i 6-të i CICA-s
Në Samitin e organizuar nga presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev në Pallatin e Pavarësisë në kryeqytetin Astana, morën pjesë presidenti i Türkiye-s Recep Tayyip Erdoğan, presidenti i Rusisë Vladimir Putin, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, presidenti i Iranit Ebrahim Raisi, presidenti i Irakut Barham Salih, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamed Al Thani, presidenti i Palestinës Mahmoud Abbas, presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, presidenti i Kirgistanit Sadyr Japarov, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon, zëvendës presidenti i Vietnamit Vo Thi Anh Xuan si dhe presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, i cili ka statusin e anëtar vëzhgues.