Sarp Özer
30 Gusht 2016•Përditësim: 31 Gusht 2016
JARABULUS (AA) - SARP OZER
Në Jarabulus të Sirisë janë zbuluar tunele të cilat pjesëtarët e organizatës terroriste DAESH i kanë përdorur për arratisje nga ky qytet gjatë ofensivës së operacionit “Mburoja e Eufratit”, që e kryeson Ushtria e Lirë Siriane (ULS) me mbështetje të Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) dhe koalicionit ndërkombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane plotësisht do të mbyllin tunelet e gjetura për shkak të dyshimit se në to janë vendosur kurthe me ndihmë të mjeteve shpërthyese.
Në këtë rajon ende është në vazhdim operacioni “Mburoja e Eufratit”. Forcat e ULS-së po përparojnë në çlirimin e territoreve që janë nën kontroll të DAESH-it, ndërsa në të njëjtën kohë në rrjedhë janë aktivitetet për kërkimin e zonave të çliruara.
Veçmas kontrollohen shtëpitë të cilat i kanë përdorur militantët e DAESH-it. Forcat opozitare gjatë kontrollit të terrenit kanë gjetur tunele të cilat DAESH-i i ka bërë dhe shfrytëzuar për arratisje nga Jarabulusi.
Tunelet i ka incizuar edhe ekipi i AA-së, që gjendet në terren. Ato shtrihen nga kodra prej të cilës shihet Jarabulusi, e deri në dalje të qytetit.
Tunelet janë bërë për mbrojtje, veçmas nga mjetet ajrore pa pilot, por edhe nga ofensiva ajrore. Ushtria e Lirë Siriane gjatë kërkimit të terrenit në qendër të Jarabulus-it ka kapur një anëtar të DAESH-it. Personi i kapur pranoi se është anëtar i organizatës terroriste.