Afra Aksoy
02 Nëntor 2017•Përditësim: 02 Nëntor 2017
RAMALLAH (AA) - Presidenti palestinez Mahmud Abbas tha se ka ardhur koha që qeveria britanike sipas vendimeve dhe të drejtës ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë për t'i dhënë fund okupimit izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Abbas ka shkruar një artikull në gazetën britanike "The Guardian" me rastin e 100 vjetorit të Deklaratës së Balfour-it.
Në artikullin "Deklarata e Balfour-it nuk është arsye për t'u festuar", Abbas thotë se nënshkrimi i deklaratës ka mbetur në të kaluarën. "Kjo tashmë është një situatë që nuk mund të ndryshohet, por ajo duhet të korrigjohet. Duhet të ndërmerren hapa konkretë për të korrigjuar këtë gabim", tha ai.
Duke nënvizuar politikën britanike për mbështetjen e emigracionit hebre në Palestinë kundër paqartësisë së të drejtës së arabëve palestinezë për të vendosur fatin e tyre, Abbas theksoi tensionet serioze midis emigrantëve hebrenj evropianë dhe popullit palestinez.
"Në përvjetorin e 100-të të Deklaratës së Balfour-it, qeveria britanike duhet të vlerësojë mundësinë dhe ta korrigjojë këtë gabim historik kundër popullit palestinez", tha Abbas.
Pasi ka rikujtuar se "milicët cionistë" larguan me forcë rreth gjysmë milion njerëz, mes tyre edhe gra, fëmijë dhe pleq në vitin 1948 nga atdheu i tyre, Abbas tha se "Isha 13 vjeç kur na detyruan të largoheshim nga toka jonë në qytetin Safed. Teksa Izraeli ishte duke festuar themelimin e shtetit të tij, ne po festonim ditën më të errët të historisë sonë si palestinezë".
Ndër të tjera Abbas ka vënë në dukje se Deklarata e Balfour-it është një ngjarje që nuk mund "të harrohet" dhe se më shumë se 12 milionë palestinezë, përfshirë edhe ata që u detyruan të largoheshin nga atdheu në vitin 1948, jetojnë në pjesë të ndryshme të botës.
"Deklarata e Balfour-it nuk është arsye për t'u festuar, sidomos kur dikush nga palët ende vuan dhe përballet me problemet", tha Abbas duke shtuar se Izraeli dhe miqtë e tyre duhet të kuptojnë se "populli palestinez është përjetësisht këtu edhe nëse eliminohet plotësisht zgjidhja me dy shtete".
Në artikullin e tij, Mahmud Abbas së fundmi është shprehur se "Populli palestinez do të vazhdojë të luftojë për një zgjidhje me dy shtete dhe do të përpiqet për të rifituar lirinë e tij, që të gjithë ata që jetojnë në Palestinën historike të kenë të drejta të barabarta".
Deklarata e Balfour-it
Mbretëria e Bashkuar me Deklaratën e Balfour-it më 2 nëntor 1917 ishte shteti i parë i madh që mbështeste haptazi projektin, i cili parashikonte krijimin e një "atdheu" izraelit në territorin palestinez.
Deklarata e shpallur me një letër të cilën ministri i atëhershëm i Jashtëm i Britanisë, Arthur James Balfour, ia shkroi Lordit Walter Rothschild, njërit prej figurave të shquara të lëvizjes cioniste, shihet si momenti historik më i rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit izraelit.
Në letrën me 67 fjalë, e cila në histori njihet si "Deklarata e Balfour-it", krahas mbështetjes së dhënë për formimin e "atdheut" izraelit në territoret palestineze premtohej se do të sigurohet që të mos dëmtohen të drejat e popullit aktual në rajon.