Bota

Abu Muhammed, prej 28 vitesh shet sherbet të Ramazanit në tregun Hamidiye, trashëgimi e periudhës Osmane në Damask

"Sherbeti i jamballit, i cili preferohet nga të moshuarit, rigjallëron trupin, nuk rrit presionin e gjakut dhe jep forcë dhe energji", thotë Abu Muhammed

Ethem Emre Özcan  | 28.03.2025 - Përdıtësım : 29.03.2025
Abu Muhammed, prej 28 vitesh shet sherbet të Ramazanit në tregun Hamidiye, trashëgimi e periudhës Osmane në Damask

Damask

Siriani Muammar Abu Muhammed, duke shitur sherbetet e Jamballit, Tamarind dhe Jallab në tregun Hamidiye, trashëgimi e periudhës Osmane në kryeqytetin e Sirisë, Damask, prej 28 vitesh, përpiqet ta mbajë gjallë këtë kulturë që vazhdon prej shumë vitesh.

Pijet më të preferuara të Ramazanit në Siri janë sherbetet e jamballit, tamarindit dhe jallabit, të cilat janë edhe burim të ardhurash për disa qytetarë.

Sherbeti i jamballit e ka marrë emrin sipas bimës së jamballit ndërsa sherbeti i tamarindit përgatitet nga përzierja e bimëve të importuara nga India me ujë trëndafili dhe sheqer. Në përgatitjen e jallabit përdoren manat e zi, rrushi i zi dhe esenca të ndryshme natyrore.

Siriani 48-vjeçar Abu Muhammed, prej 28 vitesh vazhdon me dashuri dhe kujdes biznesin e sherbetit që trashëgoi nga babai i tij.

Një pjesë të sherbetit që përgatit në shtëpi Abu Muhammed e shet në tezgën e tij ose e shpërndan nëpër dyqane para iftarit ndërsa pas iftarit shkon në tregun Hamidiye, me fesin në kokë, veshjen tradicionale dhe tullumbin (në formën e një pompe) prej16 litrash në shpinë.

Abu Muhammed tërheq vëmendjen në treg jo vetëm me sherbetin e tij por edhe me këngët që ai këndon.


- "Ne po përpiqemi që këto pije tradicionale të mos harrohen"

Në deklaratën për Anadolu, Abu Muhammed tha se është krenar që prej 28 vitesh shet pijet e Ramazanit në "Çarshinë Hamidiye". "Ne po përpiqemi që fëmijët tanë të mos i harrojnë këto pije tradicionale, të cilat janë të patjetërsueshme për sofrat tona të Ramazanit", tha ai.

"Njerëzit qëndrojnë pa ujë për orë të tëra gjatë Ramazanit. Këto pije, veçanërisht sherbeti i jamballit, kanë efekt qetësues në fyt. Sherbeti i jamballit, i cili preferohet nga të moshuarit, rigjallëron trupin, nuk rrit presionin e gjakut dhe jep forcë dhe energji, por gratë dhe fëmijët preferojnë tamarind dhe jallab për shkak të shijes që ato ofrojnë", thotë Abu Muhammed.

Ai tha se përpiqet ta mbajë gjallë këtë kulturë që mësoi nga babai i tij. "Këto pije i përgatis me duart e mia, me dashuri. Unë i jam besnik punës sime. Unë dua që ata që blejnë dhe pinë nga unë këto pije të jenë të lumtur", tha Abu Muhammed.

Sipas tij, përbërësit e përdorur në përgatitjen e disa sherbeteve ishin të vështira për t'u gjetur gjatë regjimit të rrëzuar Baath.


- "I bën mirë stomakut dhe tretjes pas ushqimit"

Abu Durejd, i cili është tregtar në tregun Hamidiye që nga viti 1998, tha se sherbetin e konsumojnë në sofrat e Ramazanit.

Ai tha se këto pije konsumohen me bollëk nga populli sepse shiten me çmime të përballueshme dhe janë freskuese.

Mahir Burro, një nga klientët tha se e preferojnë si familje sherbetin tamarind. "I bën mirë stomakut dhe tretjes pas ushqimit. Të jep energji. Ne qëndrojmë pa ujë gjatë gjithë ditës, por këto pije e kompensojnë", tha ai.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.