Bota

Agjencia e BE-së: Ndjenjat anti-muslimane shënojnë rritje në Evropë

Raporti i titulluar "Të jesh musliman në BE", i bazuar në të dhënat e vitit 2022, tregon rritje të ndjenjave anti-muslimane, respektivisht me 47 për qind të të anketuarve muslimanë që raportuan diskriminim racor

Necva Taştan Sevinç  | 24.10.2024 - Përdıtësım : 25.10.2024
Agjencia e BE-së: Ndjenjat anti-muslimane shënojnë rritje në Evropë

Istanbul

Një raport i lëshuar së fundmi nga Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore (FRA) ka bërë të ditur se pothuajse gjysma e muslimanëve që jetojnë në Evropë përballen me racizëm dhe diskriminim në jetën e tyre të përditshme, transmeton Anadolu.

Raporti i titulluar "Të jesh musliman në BE", i bazuar në të dhënat e vitit 2022, tregon rritje të ndjenjave anti-muslimane, respektivisht me 47 për qind të të anketuarve muslimanë që raportuan diskriminim racor. Në vitin 2016 kjo shifër ishte 39 për qind.

Sondazhi hodhi dritë mbi sfidat në rritje me të cilat përballen muslimanët në të gjithë BE-në, veçanërisht në punësim dhe strehim. "Muslimanët më së shpeshti përballen me diskriminim kur kërkojnë punë (39 për qind) ose në vendin e punës (35 për qind)", thuhet në raport.

Po ashtu theksohet se këto çështje kanë efekte të valëzimit në fusha të tjera, si në strehim, arsim dhe kujdes shëndetësor.

FRA thekson se gratë që veshin veshje fetare përjetojnë nivele më të larta të diskriminimit racor sesa ato që nuk e bëjnë atë, veçanërisht kur kërkojnë punë, pasi në vitin 2022 shkalla është rritur në 45 për qind nga 31 për qind në vitin 2016, me gratë e reja të moshës 16-24 vjeç që përjetuan incidencën më të lartë, respektivisht në 58 për qind.

Diskriminimi në tregun e banesave është rritur gjithashtu, me 35 për qind të të anketuarve që thanë se nuk arritën të marrin me qira ose të blejnë një shtëpi për shkak të diskriminimit, një rritje e konsiderueshme nga 22 për qind në vitin 2016.

Raporti thekson gjithashtu çështjet me zbatimin e ligjit, me pothuajse gjysmën e tyre (49 për qind) që u ndaluan nga policia që besojnë se i janë nënshtruar profilizimit racor.

Drejtoresha e FRA-së, Sirpa Rautio, e quajti situatën alarmante. "Ne jemi dëshmitarë të një rritjeje shqetësuese të racizmit dhe diskriminimit kundër muslimanëve në Evropë", Rautio.

Ajo ia atribuoi këtë konflikteve në Lindjen e Mesme dhe "retorikës de-humanizuese anti-muslimane në të gjithë kontinentin". "Ne duhet të sigurojmë që të gjithë në BE të ndihen të sigurt, të përfshirë dhe të respektuar, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, prejardhja apo feja e tyre", shtoi Rautio.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.