Bota

Aktivisti palestinez ndalohet në Aeroportin Heathrow të Londrës për shkak të bluzës me hartë të Palestinës

Bluza, e stolisur me një hartë të Palestinës me model “kefije”, është konsideruar provokuese nga autoritetet

Aysu Biçer  | 23.04.2025 - Përdıtësım : 23.04.2025
Aktivisti palestinez ndalohet në Aeroportin Heathrow të Londrës për shkak të bluzës me hartë të Palestinës

Londër

Një aktivist palestinez u ndalua në aeroportin Heathrow sipas Ligjit për Armët e Zjarrit pasi kishte veshur një bluzë me një hartë të Palestinës, transmeton Anadolu.

Incidenti thuhet se ka ndodhur të dielën kur aktivisti ka mbërritur për të raportuar për largimin e politikanit izraelit Gideon Sa’ar, i cili akuzohet për krime lufte në Gaza.

Arrestimi ka ngjallur akuza për represion politik dhe profilizimin racor në Britani.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, aktivisti ndalohet nga oficerë policie të armatosur rëndë, të cilët e pyesin për veshjen e tij.

Bluza, e stolisur me një hartë të Palestinës me model “kefije”, është konsideruar provokuese nga autoritetet.

Anadolu kontaktoi Policinë Metropolitane për një përditësim mbi incidentin, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit.

Arrestimi ndodhi mes tensioneve të rritura rreth largimit të Sa’arit nga Londra, ku ai ishte takuar me zyrtarë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht thirrjeve për arrestimin e tij.

Vizita e Sa’arit, e përshkruar nga Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar si “private”, ka çuar në thirrje nga aktivistët e të drejtave të njeriut për veprime ligjore, me disa grupe që kërkojnë ta ndjekin atë për bashkëpunim të dyshuar në krime lufte.

Rrjeti Global i Veprimit Ligjor (GLAN) me bazë në Londër dhe Fondacioni Hind Rajab (HRF) me bazë në Bruksel i kanë dërguar një letër të përbashkët Prokurorit të Përgjithshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe Drejtorit të Prokurorive Publike, duke kërkuar miratimin për një ndjekje penale private.

Aktivistët përgatitën gjithashtu një kërkesë për urdhër arresti, i cili do të paraqitet në Gjykatën Themelore të Westminsterit.

Kritikët thonë se arrestimi pasqyron një model më të gjerë të shtypjes së shprehjes propalestineze në Britani.

Në muajt e fundit, ka pasur raste të shumta ku njerëzit janë përballur me veprime ligjore ose pyetje nga policia për shfaqjen e simboleve të lidhura me Palestinën.

Një adoleshent u mor në pyetje nga policia kundër terrorizmit në një aeroport për veshjen e një flamuri palestinez dhe një person tjetër u akuzua për vendosjen e një shiriti koke me simbole islame në një tubim pro Palestinës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.