Bota

Aktivistja izraelite: Izraeli i ka shpallur luftë popullit palestinez për të kontrolluar të gjitha territoret

Aktivistja izraelite për të drejtat e njeriut, Yuli Novak ka deklaruar se "Izraeli dëshiron të promovojë supremacinë hebreje dhe të kontrollojë të gjitha territoret"

Şerife Çetin  | 05.09.2024 - Përdıtësım : 05.09.2024
Aktivistja izraelite: Izraeli i ka shpallur luftë popullit palestinez për të kontrolluar të gjitha territoret

New York

Aktivistja izraelite për të drejtat e njeriut dhe drejtoresha ekzekutive e B'Tselem, organizatës izraelite për të drejtat e njeriut, Yuli Novak ka deklaruar se "Izraeli dëshiron të promovojë supremacinë hebreje dhe të kontrollojë të gjitha territoret", transmeton Anadolu.

Përmes video-konferencës, Novak foli në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), ku u diskutua për Rripin e Gazës, situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe pengjet.

Novak tha se pas 7 tetorit 2023 çdo izraelit që ajo njeh jeton në frikë të thellë. "Qeveria jonë po avancon brutalisht projektin e saj për të kontrolluar të gjitha territoret (tokat) duke përdorur traumën tonë kolektive", tha ajo.

Pasi vuri në dukje se për të kuptuar aktivitetet kriminale të qeverisë izraelite gjatë 11 muajve të fundit, është e nevojshme të kuptohet "ideologjia e regjimit që nga themelimi i tij", Novak tha se "Izraeli dëshiron të promovojë supremacinë hebreje dhe të kontrollojë të gjitha territoret".

Më tej Novak potencoi se Izraeli i ka shpallur luftë të gjithë popullit palestinez për ta arritur këtë dhe se në Gaza kryhen krime lufte çdo ditë.


- "E kanë bërë Gazën të pabanueshme"

Novak tha se Izraeli "e ka bërë Gazën të pabanueshme" me zhvendosje, uri, vrasje dhe shkatërrime. Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar nuk ka mundur ta ndalojë Izraelin në Gaza dhe tani "politika e pamëshirshme" është përhapur në Bregun Perëndimor.

Duke vënë në dukje se lufta kundër palestinezëve vazhdon edhe në burgjet në Izrael, Novak nënvizoi se atje palestinezët mbahen në kushte çnjerëzore. "Qeveria izraelite i ka kthyer burgjet në kampe torture për palestinezët", tha Novak e cila shtoi se Izraeli i vazhdon këto praktika sepse nuk ka dhënë llogari për krimet e tij.

Aktivistja izraelite thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk e ka përmbushur detyrimin e tij për të mbrojtur civilët dhe se nuk mjafton vetëm ulja e tensioneve.

"OKB-ja duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)", theksoi Novak e cila shtoi se mijëra njerëz vuajnë dhe vdesin nën "regjimin e aparteidit" për çdo ditë që ajo nuk mund ta bëjë këtë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.