Ankara, hapet ekspozita e katërt e edicionit të 10-të të "Istanbul Photo Awards"
Drejtori i përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz tha se shumë gazetarë dokumentuan krimet e luftës dhe gjenocidet në histori me fotografitë dhe imazhet që ata bënë
Ankara
Në Ankara u hap ekspozita e katërt e edicionit të 10-të të "Istanbul Photo Awards", konkursi ndërkombëtar i fotografisë së lajmeve të organizuar nga Agjencia Anadolu.
Në hapjen e ekspozitës në "CerModern" morën pjesë drejtori i përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz, ambasadori i Palestinës në Ankara, Faed Mustafa, ambasadori i Serbisë në Ankara, Aca Jovanoviq dhe ambasadorja e Nikaraguas në Ankara, Tatiana Daniela Garcia.
Në fjalën e tij, Karagöz tha se gjenocidi që qeveria izraelite po kryen pa mëshirë kundër popullit të shtypur dhe të viktimizuar palestinez për më shumë se një vit, shikohet çdo ditë në televizion, gazeta dhe media dixhitale.
Duke treguar historinë e fotografisë së titulluar "Gruaja palestineze që përqafon trupin e vdekur të nipit të saj" nga fotoreporteri palestinez Mohammed Salem, i cili fitoi çmimin e "Istanbul Photo Awards", Karagöz tha: "Kjo fotografi do të lë gjurmë në 10 vitet e ardhshme, 20 vitet dhe 100 vitet e ardhshme dhe nuk do të na e harrojë këtë gjenocid".
Ai theksoi se trauma e shkaktuar nga gjenocidi mbi të pafajshmit preku jo vetëm viktimat, por edhe miliona që e panë atë. "Ne nuk mund ta shikojmë këtë foto për një kohë të gjatë. Na dhemb ndërgjegjja. Ne pyesim veten: Çfarë mund të bëjmë në një botë të tillë?. Secili prej nesh pyet: A kemi bërë mjaftueshëm për të ndaluar dhe parandaluar këtë gjenocid?, nëse kemi ende ndërgjegje. Nëse nuk kemi ndërgjegje, vazhdojmë ta shpërfillim këtë foto dhe qindra e mijëra foto si ajo", tha Karagöz.
- "Ne jemi zëri i ndërgjegjes që zbulon të vërtetën"
Karagöz tha se shumë gazetarë dokumentuan krimet e luftës dhe gjenocidet në histori me fotografitë dhe imazhet që ata bënë. "Ne jemi zëri i ndërgjegjes që zbulon të vërtetën në këtë epokë në të cilën jetojmë sot", u shpreh ai.
Më tej Karagöz tha se AA ka bërë përpjekje për të qenë zëri i ndërgjegjes duke bërë një shënim në histori me libra dhe dokumentarë të quajtur "Dëshmi", "Dëshmitar" dhe "I pandehuri". Sipas tij, "Istanbul Photo Awards", që po mbahet për të 10-tin vit, mbledh shumë fotografi të vlefshme që dëshmojnë historinë.
"Istanbul Photo Awards, që po rritet dita ditës, është më prestigjiozja, më e madhja dhe konkursi fotografik më i ndjekur sot në botë", tha Karagöz. Ai potencoi se fotografitë e zgjedhura nga juria e nderuar kanë lënë një rekord shumë serioz në botë. "Në shekujt e ardhshëm, historianët do të vlerësojnë dhe gjykojnë historinë duke parë përzgjedhjen e Istanbul Photo Awards", tha Karagöz.
- "Ftoj të gjithë fotografët të marrin pjesë në Istanbul Photo Awards"
Karagöz thotë se më shumë se 20 mijë fotografi nga 118 kombësi të ndryshme morën pjesë në konkurs në vitin 2024 ndërsa 32 fotografë u vlerësuan të denjë për çmime në 10 kategori. Ai kujtoi se aplikimet për "Istanbul Photo Awards 2025" do të plotësohen më 10 janar 2025.
Duke thënë se AA do të prezantojë para publikut atë që po ndodh në vitin 2024 përmes objektivit të fotografëve më cilësor në përzgjedhjen e saj të vitit 2025, Karagöz tha: "Fotografia është dëshmitare. Fotografia është dëshmi dhe regjistrim. Ftoj të gjithë fotografët nga çdo cep i botës që regjistruan dhe lanë gjurmët e tyre në histori të marrin pjesë në Istanbul Photo Awards".
Karagöz falënderoi "CerModern Art Center", e cila priti ekspozitën dhe TIKA, Sony, THY dhe sponsorin e komunikimit Turkcell, të cilët sollën konkursin e fotografisë në çdo cep të botës me sponsorizimet e tyre.
Pas fjalimit, anëtari i jurisë së "Istanbul Photo Awards 2024", Fırat Yurdakul i tregoi Karagöz-it dhe të ftuarve historitë e fotografive.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë zëvendësdrejtorët e përgjithshëm të AA-së, Yusuf Özhan dhe Oğuz Enis Peru, koordinatori i Akademisë dhe Publikimeve të AA-së, Yahya Bostan, koordinatori i Publikimeve dhe Prodhimeve, Oğuz Karakaş, punonjës të AA-së, përfaqësues të misioneve të huaja dhe të ftuar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.