Apple dhe Google rikthejnë TikTok-un në dyqanet e tyre të aplikacioneve në SHBA
Aplikacioni popullor për ndarjen e videove të shkurtra, në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance, u hoq nga dyqanet e aplikacioneve të Apple-s dhe Google-s më 18 janar

Istanbul
Apple dhe Google kanë njoftuar se TikTok është sërish i disponueshëm në dyqanet e tyre të aplikacioneve në SHBA, transmeton Anadolu.
Aplikacioni popullor për ndarjen e videove të shkurtra, në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance, u hoq nga dyqanet e aplikacioneve të Apple-s dhe Google-s më 18 janar, disa orë para se ndalimi në SHBA të hyjë në fuqi.
Aplikacioni mbeti i padisponueshëm për shkarkim në App Store dhe Google Play deri dje, megjithëse përdoruesit që e kishin tashmë të shkarkuar aplikacionin ishin akoma në gjendje ta përdorin atë.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ka "interes të madh" për TikTok-un pasi administrata e tij kërkoi të rregullojë një marrëveshje për shitjen e tij.
"Interes i madh për TikTok-un. Do të ishte e mrekullueshme për Kinën dhe të gjithë të interesuarit", shkroi Trump në platformën "Truth Social".
Më herët, Trump tha se "shumë njerëz" do të bëjnë ofertë për të zotëruar TikTok-un.
Pasi bëri betimin e detyrës më 20 janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në përpjekje për të shtyrë ndalimin e aplikacionit për 75 ditë.
TikTok po përballet me shqyrtimin e SHBA-së mbi shqetësimet e sigurisë kombëtare, me një ligj që kërkon që kompania ByteDance të heq interesin e saj në aplikacion ose të përballet me një ndalim.