Mücahithan Avcıoğlu
18 qershor 2026•Përditësim: 18 qershor 2026
Kompania Apple planifikon të rrisë çmimet e produkteve të saj, pasi kostot në rritje të çipave të memories, të nxitura nga zgjerimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, po ushtrojnë presion mbi gjigantin teknologjik, transmeton Anadolu.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook tha për "Wall Street Journal" se rritjet e çmimeve ishin të pashmangshme, pasi situata rreth çipave të memories ishte bërë e paqëndrueshme, megjithëse nuk specifikoi se kur do të rriteshin çmimet ose cilat produkte do të preken.
Mbetet e paqartë nëse rritjet do të zbatohen për linjën e iPhone 18, e cila pritet të prezantohet në shtator. Çipat e memories janë komponentë kyç në telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe pajisjet e tjera inteligjente, por kërkesa nga infrastruktura e inteligjencës artificiale ka ngushtuar furnizimin dhe ka rritur çmimet në muajt e fundit.
Në raport thuhet se çmimi i RAM-it, zakonisht ndër komponentët më të lirë të kompjuterëve, është më i lartë se dyfishi që nga tetori i vitit 2025. Cook tha se Apple ishte përpjekur të mbrojë konsumatorët nga kostot më të larta, por po përballej me rritje të mëdha të çmimeve nga furnitorët.
Industria globale e gjysmëpërçuesve gjithashtu është prekur nga ndërprerjet e lidhura me luftën në Iran, e cila ka goditur furnizimin me helium, një gaz që përdoret në prodhimin e çipave. Sipas BBC-së, e cila citon kompaninë kërkimore "Omdia", çmimi mesatar i shitjes së telefonave inteligjentë në mbarë botën pritet të rritet me rreth 20 për qind në vitin 2026, duke arritur një nivel rekord.
Edhe kompani të tjera teknologjike kanë paralajmëruar për presionin e kostove. "Taiwan Semiconductor Manufacturing Company" (TSMC), e cila prodhon çipa të avancuar të projektuar nga Apple, Nvidia dhe AMD, nuk ka përjashtuar rritje të çmimeve ndërsa Samsung paralajmëroi më herët se mungesa e çipave të memories mund t’i bëjë pajisjet elektronike më të shtrenjta.
Sony rriti çmimet e PlayStation 5 në Mbretëri të Bashkuar dhe SHBA në prill ndërsa Nintendo tha se do të rrisë çmimin e Switch 2 duke filluar nga shtatori për shkak të ndryshimit të kushteve të tregut.
Shitjet e pajisjeve Apple u rritën me 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me një vit më parë, të mbështetura nga kërkesa e fortë në Kinë ndërsa kompania më herët këtë vit hoqi opsionin bazë të Mac Mini, duke rritur në mënyrë efektive çmimin fillestar të tij me rreth 200 dollarë.