Australia dhe Indonezia zhvillojnë stërvitjen më të madhe ushtarake, të parën pas nënshkrimit të paktit të mbrojtjes
Është paraparë që KW24 të kulmojë me një stërvitje të përbashkët të kombinuar me municion të vërtetë, të përbërë nga tanke, artileri, këmbësori dhe helikopterë sulmues
Istanbul
Australia dhe Indonezia po zhvillojnë stërvitjet e tyre më të mëdha të përbashkëta ushtarake, të parat që kur të dy vendet nënshkruan një pakt të ri të mbrojtjes në gusht, transmeton Anadolu.
Rreth dy mijë trupa nga të dy ushtritë po marrin pjesë në stërvitjen "Keris Woomera 2024" (KW24).
Trupat nisën fazën e dytë të stërvitjes në Indonezi në ishullin kryesor Java.
Sipas një deklarate të Ministrisë Australiane të Mbrojtjes, stërvitja përmban operacione ajrore, detare, operacione amfibe dhe pasuese, si dhe një skenar të ndihmës humanitare dhe të evakuimit në rast të fatkeqësive.
Në deklaratë thuhet se KW24 "thekson bashkëpunimin e vazhdueshëm midis dy vendeve, i cili u forcua nga nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit të mbrojtjes Australi-Indonezi".
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se faza fillestare e trajnimit të integrimit u zhvillua në bazën Robertson Barracks në Territorin Verior të Australisë.
Zyrtari i Forcave të Armatosura Kombëtare të Indonezisë (TNI), nënkoloneli Empri Airudin, tha se KW24 synon "të rrisë të kuptuarit dhe aftësitë e TNI-së kur punon me Forcat e Mbrojtjes Australiane dhe ndërveprimin midis dy kombeve".
"Ajo mund të konsiderohet gjithashtu si një mënyrë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në rajon", citohet të ketë thënë Airudin.
Komandanti i Task Forcës Australiane, Kapiteni Chris Doherty, tha se kjo stërvitje dypalëshe do të testojë të gjitha aspektet e Forcave Ajrore Australiane dhe do të mundësojë që të gjithë komponentët e saj të punojnë në mënyrë efektive së bashku si një ekip koheziv me partnerët indonezianë.
Është paraparë që KW24 të kulmojë me një stërvitje të përbashkët të kombinuar me municion të vërtetë, të përbërë nga tanke, artileri, këmbësori dhe helikopterë sulmues.
Më 29 gusht, Australia dhe Indonezia nënshkruan një Marrëveshje për Bashkëpunim Mbrojtës, e cila do të mundësojë zgjerimin e bashkëpunimit praktik dhe ndërveprimit midis forcave të mbrojtjes në fusha si siguria detare, kundër-terrorizmi, ndihma humanitare dhe fatkeqësitë, mbështetja logjistike, arsimi dhe trajnimi, si dhe në industrinë e mbrojtjes.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.