Büşra Selvi Öğütcen
25 Maj 2022•Përditësim: 25 Maj 2022
Ministri australian i Thesarit, Jim Chalmers i bëri thirrje Kinës për heqjen e pengesave tregtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Chalmers i cili filloi detyrën më 23 maj pas zgjedhjeve të mbajtura më 21 maj në Australi, rikujtoi se Kina në vitet e fundit ka vendosur masa, pengesa dhe sanksione të ndryshme kundër Australisë në fushën e tregtisë.
Ai i bëri thirrje Kinës që të heqë sa më shpejt të jetë e mundur këtë praktika nëse dëshiron të ripozicionojë sërish marrëdhëniet dypalëshe.
"Pengesat tregtare mes partnerëve të tregtisë së lirë dëmtojnë ekonominë dhe vështirësojnë jetën e disa punonjësve në Australi", deklaroi Chalmers. "Për këtë arsye sigurisht që dëshirojmë të shohim heqjen e sanksioneve në fjalë", tha ai.
Në vitin 2020 mes Kinës dhe Australisë pati probleme politike dhe tregtare.
Me ligjin e nxjerrë për parandalimin e ndikimit të huaj në politikën e brendshme, Australia mori masa kundër disa investimeve kineze dhe ndaloi që kompania kineze e telekomunikacionit Huawei të instalojë infrastrukturën e rrjetit 5G.
Pas këtyre problemeve, qeveria e Pekinit në nëntor 2020 ndaloi importin e mishit të viçit, verës, karavidheve, elbit dhe lëndës drusore nga Australia.