Autoritetet në Gaza: Qindra ndërtesa në rrezik shembjeje, kërcënim për jetën e mijërave njerëzve
“Këto ndërtesa përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për mijëra banorë që jetojnë brenda ose aty pranë”, tha zyra për media e qeverisë në Gaza

Gaza/Istanbul
Zyra për media e qeverisë së Gazës paralajmëroi sot se 220 ndërtesa janë në rrezik të shembjes së menjëhershme në enklavë për shkak të dëmeve të pësuar gjatë luftës shkatërruese të Izraelit, transmeton Anadolu.
“Këto ndërtesa përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për mijëra banorë që jetojnë brenda ose aty pranë, veçanërisht pasi bllokada izraelite vazhdon të parandalojë hyrjen e makinerive të rënda të nevojshme për të hequr mbeturinat ose për të përforcuar strukturat e dëmtuara”, tha në një deklaratë Salama Marouf, i cili drejton zyrën për media.
“Ndërsa banorët janë evakuuar, bllokada e vazhdueshme po pengon përpjekjet për të zbutur krizën”, shtoi ai.
Sipas Monitorit Euro-Mesdhetar të të Drejtave të Njeriut, Gaza veriore ka pësuar shkatërrim të gjerë gjatë muajve të bombardimeve izraelite, duke rezultuar në dëme masive në shtëpi dhe infrastrukturë.
Të hënën herët, 21 banorë palestinezë i shpëtuan mezi shembjes së një ndërtese banimi në qytetin verior Jabalia, duke u larguar vetëm 30 minuta para se të binte. Ndërtesa kishte pësuar dëmtime të mëdha nga sulmet ajrore izraelite.
Marouf tha se bllokada izraelite dhe kufizimet në importet e pajisjeve të rënda po vonojnë përpjekjet e rindërtimit, duke përkeqësuar vuajtjet e mbi 280.000 familjeve të zhvendosura që humbën shtëpitë e tyre gjatë luftës.
“Banorët janë të detyruar të qëndrojnë në ndërtesa në rrezik shembjeje në çdo moment për shkak të mungesës së strehimit alternativ”, tha ai, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të heqë bllokadën, të lejojë hyrjen e makinerive të rënda dhe të përshpejtojë projektet e rindërtimit për të parandaluar fatkeqësitë e mëtejshme humanitare.
Mbi 48.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 112.000 janë plagosur në sulmet brutal izraelite në Gaza që nga tetori 2023. Sulmet, të cilat e kanë lënë enklavën në gërmadha, u ndaluan në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që u hyri në fuqi më 19 janar.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.