Dilara Hamit,Jeyhun Aliyev
30 Mars 2019•Përditësim: 31 Mars 2019
Udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë të premten në Vjenë kanë biseduar për zgjidhjen e konfliktit disa vjeçar në Malësinë e Karabakut, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi i dy krerëve u mbajt nën ombrellën e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
"Presidenti Ilham Aliyev në Vjenë mbajti një takim të drejtpërdrejt me kryeministrin e Armenisë Nikola Pashinyan. Tani takimi vazhdon me praninë e bashkëkryesuesit të Grupit të Minskut të OSBE-së", shkroi në Twitter Hikmet Hajiyev, kryekëshilltari për politikë të jashtme të presidentit të Azerbajxhanit.
"Azerbajxhani mbështet bisedimet për zgjidhjen e konfliktit mbrenda formatit ekzistues të bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Aktit përmbyllës të Helsinkit dhe Parimit të së Drejtës Ndërkombëtare", tha ai.
Pas takimit me dyer të mbyllura, dy liderët ndaras do të takohen me kancelarin austriak Sebastian Kurz.
Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Elmar Mammadyarov të enjten në Vjenë u takua me homologun armen Zohrab Mnatsakanyan, për të biseduar rreth Malësisë së Karabakut në kuadër të ndërmjetësimit të Grupit të Minskut.
Grupi i Minskut i cili kryesohet nga Franca, Rusia dhe SHBA-të, u formua për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.
Vitet e kaluara konflikti lidhur me rajonin e Malësisë së Karabakut ishte një nga konfliktet e ngrira në botë. Lufta e viteve të '90-ta mori mbi 20 mijë jetë njerëzish dhe shkaktoi dëbimin e një milion njerëzve ndërsa trupat armene pushtuan territorin.