Ekip
08 Korrik 2021•Përditësim: 08 Korrik 2021
Rastet e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) janë në rritje në një nga kampet më të mëdha të refugjatëve në botë, në Bangladesh, ku mbi 1,1 milion musliman Rohingya të persekutuar kanë jetuar për vite me radhë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit të fundit të zyrës së komisionerit të refugjatëve në Bangladesh, brenda ditës së fundit 48 refugjatë Rohingya janë infektuar me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të refugjatëve të infektuar në 1.921.
Deri më tani, po ashtu 20 refugjatë Rohingya kanë vdekur nga koronavirusi në kampet e vendosura në rrethin jugor Cox's Bazar, rajon i cili po ashtu është qendra kryesore turistike e vendit.
Për të frenuar përhapjen e koronavirusit në çadrat e improvizuara të mjerueshme të refugjatëve Rohingya, 744 refugjatë, përfshirë 58 brenda ditës së fundit, aktualisht po qëndrojnë në karantinë.
Raporti thekson se "numri kumulativ i kontakteve të personave të karantinuar është 6.098".
Ndërkohë, refugjatët Rohingya në Bangladesh kanë kërkuar që të përfshihen në vaksinim.
"Ne po jetojmë këtu në kampet e Bangladeshit në një mjedis shumë të mbingarkuar. Mesatarisht, pesë deri në gjashtë njerëz jetojnë në një dhomë të vetme ndërsa çadrat tona janë të vendosura në një rresht krah për krah. Ne shpesh takojmë njëri-tjetrin. Prandaj është urgjente ta na vaksinoni menjëherë për të shmangur çdo pasojë të keqe në një të ardhme të afërt", tha Abdur Rohim për AA, një refugjat Rohingya në kampin Kutupalang.
Duke theksuar se faktorët e rrezikut me të cilat janë përballur refugjatët Rohingya, Rohim tha se, "Është vërtet më e vështirë për ne të mbajmë distancë sociale dhe udhëzime të tjera shëndetësore kundër virusit COVID-19 për shkak të mjedisit të mbingarkuar. Kështu që ne jemi në rrezik të lartë të kontaminimit nga viruset".
Duke folur për AA, koordinatori kryesor i shëndetësisë i Komisionerit për Ndihmën e Refugjatëve dhe Riatdhesimit, Abu Toga Mr Bhuiyan, tha se çështja e vaksinimit të refugjatëve Rohingya është duke u shqyrtuar në mënyra aktive nga Bangladeshi.
"Ne presim që në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të ndihmës do të jemi në gjendje të fillojmë së shpejti vaksinimin kundër virusit COVID-19 për popullin Rohingya", tha Bhuiyan.
Duke iu referuar rolit të Turqisë si reagues i parë në krizën Rohingya, ai tha se ata po ashtu i bëjnë thirrje Turqisë të ndihmojë në fillimin e vaksinimit për refugjatët Rohingya në Bangladesh.
Njerëzit Rohingya, të përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si populli më i persekutuar në botë, janë përballur me frikën e sulmit që kur dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.
Sipas Amnesty International, mbi 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit në gusht të vitit 2017 filluan një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman, duke rritur numrin e të persekutuarve në Bangladesh në mbi 1,1 milion.