Salim Taş
27 Dhjetor 2016•Përditësim: 28 Dhjetor 2016
IDLIB (AA) - Sirianët e mbërritur në Idlib pas evakuimit nga lindja e Halepit nën rrethimin e regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupeve të huaja terroriste mbështetës të regjmit në Siri, vazhdojnë jetën nëpër tendat e ngritura me mundësitë e tyre dhe mbështetjen e institucioneve të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Banorët e Halepit të cilët jetojnë në tendat e ngritura në rajonin Harim të Idlibit po përpiqen të vazhdojnë jetën e tyre me ndihmat e ardhura nga Turqia.
Sirianët në tendat e ngritura në rajonet ku në këto ditë të dimrit nuk kanë infrastrukturë, energji elektrike dhe ujë përpiqen të ngrohen me drunjët që mbledhin përreth. Ndërsa fëmijët kalojnë kohën duke luajtur me këmbë të zbathura nëpër rrugët me baltë.
Safa Ibrahim (28), e cila qëndron bashkë me dy fëmijët e saj në tendë me mundësitë e tyre në rajonin Harim dhe të cilët kanë mbërritur në Idlib pas evakuimit në Halep, në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka theksuar se avionët e regjimit 5 vite më parë goditën shtëpinë e saj gjatë bombardimeve në Halep dhe se e ka humbur bashkëshortin e saj.
Ndër të tjera Ibrahim tha se pas humbjes së bashkëshortit ka mbetur e vetëm bashkë me dy fëmijët e vegjël dhe se janë përpjekur të mbijetojnë në Halep.
Ajo tregon se kanë përjetuar ditë shumë të vështira dhe se gjithmonë i luten Allahut. "Pas nisjes së evakuimeve në Halep erdhëm në Idlib. Falënderojmë Allahun që kemi mbetur në jetë bashkë me fëmijët. Kushtet në tendat tona janë shumë të kufizuara. Presim ndihmë", thotë Ibrahim.
Ndërsa edhe Shihle Himde (65) ka vënë në dukje se qëndron bashkë me bashkëshortin e saj dhe se në ditët me shi kanë shumë të ftohtë për shkak se tendat fusin ujë dhe erë. Ajo tha se nuk kërkojnë shumë por vetëm veshje dhe ushqim për t'u ushqyer.
Një tjetër siriane Hamide Rezzak (21), shpjegon se vazhdojnë jetën në tendë bashkë me bashkëshortin dhe 3 fëmijët. "Situata jonë këtu nuk është aspak e mirë. Strehohemi tek Allahu ynë dhe presim mëshirën e tij", tha ajo.
Ndërsa nëna e dy fëmijëve Nur Ali (27) thotë se përveç Turqisë askush nuk ka ndihmuar dhe nuk ka qëndruar pranë popullit të Sirisë.
Ajo shpreh falënderimet për Turqinë dhe lutet për popullin e Turqisë. "Ata që jetojnë në kamp kanë shumë mangësi. Ka nevojë për ushqime dhe veshje. Ndodhemi në një situatë të keqe por Allahu është i madh", tha Nur Ali.
Siriani Yasin Hamis (75), tha se qëndrojnë në dy tenda në kushte të këqija me familjen 15 anëtarëshe. Ai thotë se jeta e tyre në tenda është shumë e vështirë dhe se kanë nevojë emergjente për ushqime, veshje, ujë, qumësht dhe ushqime për fëmijët.
Duke shpjeguar se për shkak të ftohtit janë sëmurë fëmijët, Hamis tha gjithashtu se "Nga Halepi kemi ardhur bashkë me familjen prej 15 anëtarësh. Kërkojmë ndihmë aq sa për të mbijetuar. Ujë, bukë dhe punë nuk ka. Po të kishim punë do punomin dhe do të kujdeseshim për familjet tona por as edhe atë mundësi nuk e kemi. Këtu ndodhemi mes jetës dhe vdekjes. Dimri ka ardhur, na ndihmoni".
Ndërsa përgjegjësi i kampit, Gaze Vezir ka vënë në dukje se në 70 tenda të ngritura me mundësitë e tyre dhe të institucioneve humanitare qëndrojnë 300 banorë nga Halepi.
Ai vuri në dukje se njerëzit në tenda përpiqen të mbijetojnë në një ambient të pashëndetshëm. "Personat që qëndrojnë në tenda kanë nevojë për shtretër, batanije dhe lëndë djegëse. Këtu është shumë ftohtë. Veshje për dimër nuk kemi. Kemi nevojë kryesisht për ilaçe. Fëmijët kanë nevojë për qumësht, veshje dhe arsimim", thotë Vezir.
Vezir gjithashtu ka shprehur falënderimet për Turqinë e cila i ka dalë në mbrojtje dhe ka ndihmuar me aq sa ka mundësi.