Ata Ufuk Şeker
19 Dhjetor 2018•Përditësim: 20 Dhjetor 2018
BRUKSEL (AA) - Përfundon mosmarrëveshja mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Italisë lidhur me buxhetin e vitit 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë shtypi në Bruksel, zëvendëskryetari i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis, tha se me Italinë është zgjidhur mosmarrëveshja në lidhje me buxhetin 2019.
"Negociatat intensive të zhvilluara javët e fundit për buxhetin 2019 me Italinë përfunduan me një zgjidhje", është shprehur Dombrovskis.
Pasi ka tërhequr vëmendjen se buxheti i ri që Italia ka paraqitur në Komisionin e BE-së, i ka dhënë fund procesit disiplinor për buxhetit i nisur nga unioni, Dombrovskis ka bërë vlerësimin se "marrëveshja e siguruar sot pavarësisht se nuk është e përsosur, i jep fund procedurës ekstreme të hapur me kusht që masat në fjalë të jenë në zbatim të plotë".
Dombrovskis shtoi se Italia mund të përmirësojë kushtet e saj financiare duke ndjekur politikat e balancuara ekonomike dhe buxhetore.
Qeveria italiane në negociatat për buxhetin e vitit 2019 i cili shkaktoi krizë me BE-në, kishte dorëzuar një propozim të ri, i cili shkurton deficitin buxhetor nga 2.4 për qind në 2.04 për qind.
- Diskutimi për buxhetin
Në projektbuxhetin e Qeverisë së Italisë, i cili më 15 tetor iu dërgua KE-së, synimi për deficit buxhetor për vitin e ardhshëm në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishte 2,4 për qind. Italia kishte njoftuar se në vitin 2020 deficitin buxhetor do ta ulë në 2,1 për qind, ndërsa në vitin 2021 në 1,8 për qind. Institucionet e BE-së dhe vendet anëtare kritikuan këtë plan buxhetor të Italisë.
BE-ja më 21 nëntor nisi një proces disiplinor të quajtur “Procedura e Deficitit të Tepruar” ndaj Italisë, me arsyetimin se projektbuxheti i Italisë për vitin 2019 nuk i përshtatet rregullave dhe nuk e zvogëlon borxhin publik.
Sipas rregullave të BE-së, deficiti i vendeve anëtare duhet të jetë më i ulët se 3 për qind nga PBB, ndërsa borxhi publik nën 60 për qind të PBB-së. Kur tejkalohet ky kufi, duhet të njoftohen masat që do të zbatohen dhe duhet të zhvillohet një luftë efektive në këtë drejtim.
Borxhi publik i Italisë aktualisht përkon me 130 për qind të PBB-së së saj.