BE fton Damaskun në Konferencën e 9-të të Brukselit për Sirinë
Hipper tha se konferenca do të ishte një "rast shumë i rëndësishëm" për të vazhduar angazhimin me autoritetet në situatën në terren dhe për të vlerësuar se si BE-ja mund të ofrojë mbështetjen më të mirë

Bruskel/Istanbul
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se një ftesë i është dërguar ministrit sirian të Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, për të marrë pjesë në Konferencën e 9-të të Brukselit mbi vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.
Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me zhvillimet e fundit në Siri gjatë konferencës së rregullt për media të Komisionit Evropian, zëdhënësja Anitta Hipper konfirmoi se al-Shaibanit iu dërgua një ftesë për konferencën më 17 mars.
“Të gjithë jemi të interesuar për stabilizimin e Sirisë. Është e rëndësishme që puna drejt kësaj të ndodhë dhe kjo mund të ndodhë vetëm me një tranzicion gjithëpërfshirës, sepse nuk ka alternativë për këtë”, tha Hipper.
Ajo tha se konferenca do të ishte një "rast shumë i rëndësishëm" për të vazhduar angazhimin me autoritetet në situatën në terren dhe për të vlerësuar se si Bashkimi Evropian (BE) mund të ofrojë mbështetjen më të mirë.
“Ne nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje në mbështetje të një tranzicioni paqësor dhe gjithëpërfshirës larg çdo ndërhyrjeje të huaj që garanton të drejtat e të gjithë sirianëve, pa dallime”, shtoi ajo.
Që nga viti 2017, BE-ja ka organizuar konferenca donatorësh në Bruksel për të mbështetur Sirinë.
Konferenca e këtij viti, e titulluar “Qëndrimi me Sirinë: Përmbushja e nevojave për një tranzicion të suksesshëm”, do të jetë e para që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në muajin dhjetor. Kjo do të jetë gjithashtu konferenca e parë në të cilën do të marrë pjesë administrata siriane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.