Bota

BE-ja dëshiron të përshpejtojë tranzicionin e energjisë së pastër në mbarë botën

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se "vitin e kaluar, shpenzimet globale për energjinë e pastër thyen një rekord, duke arritur në 2 trilionë dollarë"

Ata Ufuk Şeker  | 23.01.2025 - Përdıtësım : 23.01.2025
BE-ja dëshiron të përshpejtojë tranzicionin e energjisë së pastër në mbarë botën

Bruksel

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha se duan të përshpejtojnë tranzicionin e energjisë së pastër në mbarë botën dhe të investojnë më shumë në këtë fushë, transmeton Anadolu.

Von der Leyen foli në panelin "Tranzicioni i Energjisë së Pastër" në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) që po mbahet në Davos të Zvicrës.

Duke vënë në dukje se bota po shkon drejt energjisë së pastër më shpejt se kurrë më parë, von der Leyen tha se "vitin e kaluar, shpenzimet globale për energjinë e pastër thyen një rekord, duke arritur në 2 trilionë dollarë".

Von der Leyen theksoi se investimi në energjinë e rinovueshme ishte dyfish më shumë sesa ai për lëndët djegëse fosile.

Duke kujtuar se në Konferencën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndryshimet Klimatike u dha premtimi për të trefishuar energjinë e rinovueshme dhe për dyfishimin e efikasitetit të energjisë deri në vitin 2030, von der Leyen shpjegoi se kalimi në energji të pastër është i rëndësishëm.

Ajo tha më tej se energjia e pastër kontribuon në pavarësinë ekonomike dhe fuqinë konkurruese dhe është gjithashtu e dobishme financiarisht.

Në fushën e energjisë së pastër ka edhe sprova të rëndësishme, tha von der Leyen, duke shtuar: "Jo të gjithë janë pjesë e këtij tranzicioni global të energjisë së pastër. Kontinenti afrikan, i cili ka 60 për qind të burimeve diellore më të mira në botë, aktualisht merr me më pak se 2 për qind në investimet globale të energjisë së pastër".

"Në Afrikë, 600 milionë njerëz ende nuk kanë akses në energji elektrike. Kjo situatë është e papranueshme", shtoi von der Leyen.

Duke theksuar se në Afrikë kanë nisur një fushatë globale për përhapjen e energjisë së rinovueshme, von der Leyen tha: "Sot po hapim Forumin Global të Tranzicionit të Energjisë. Ne po bashkojmë Brazilin, Britaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kenian, Afrikën e Jugut, Kanadanë dhe shumë vende të tjera".

Ndër të tjera, von der Leyen deklaroi se qëllimi i tyre është të ruajnë vrullin në tranzicionin e energjisë së pastër, të zbatojnë projekte pioniere dhe të hapin rrugën për investime të mëtejshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.