BE-ja njofton paketë të re ndihme humanitare me vlerë 148 milionë euro për Ukrainën
"Me 148 milionë euro ndihma të reja humanitare për Ukrainën ne po ofrojmë mbështetje jetëshpëtuese për njerëzit dhe ndihmojmë në rindërtimin e shoqërive. BE-ja do të qëndrojë me vendosmëri pranë popullit ukrainas", tha komisionerja Hadja Lahbib
Ankara
Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar një paketë të re ndihme humanitare me vlerë 148 milionë euro për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Komisioni Evropian, theksohet se afërsisht 12,7 milionë njerëz në Ukrainë kanë nevojë për "ndihmë urgjente" dhe se paketa e re e ndihmës synon të plotësojë këto nevoja.
Në deklaratë vihet në dukje se 140 milionë euro nga paketa totale e ndihmës prej 148 milionë euro u ndanë për ndihmën humanitare në Ukrainë dhe 8 milionë euro në Moldavi.
Pas paketës së re të ndihmës, shuma e ndihmave humanitare të akorduara nga Komisioni Evropian për Ukrainën që nga fillimi i luftës ka tejkaluar 1,1 miliard euro.
Hadja Lahbib, Komisionerja Evropiane për Përgatitjen, Menaxhimin e Krizave dhe Barazinë, në një postim në llogarinë e saj X lidhur me paketën e ndihmës është shprehur se "Me 148 milionë euro ndihma të reja humanitare për Ukrainën ne po ofrojmë mbështetje jetëshpëtuese për njerëzit dhe ndihmojmë në rindërtimin e shoqërive. BE-ja do të qëndrojë me vendosmëri pranë popullit ukrainas në momentin që ata kanë nevojë".
Ndërkohë Lahbib e cila dje vizitoi Ukrainën për të inspektuar punimet për ndihmën humanitare të BE-së, pritet që të zhvillojë takime me zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.