Selen Temizer
06 Tetor 2021•Përditësim: 06 Tetor 2021
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi se në Samitin e liderëve në mars 2022 do të miratojë udhërrëfyesin lidhur me objektivin që BE-ja të mund të veprojë në mënyrë më të pavarur në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga liderët e BE-së pas darkës jozyrtare në Slloveni e cila është presidente e radhës, Michel vuri në dukje se BE-ja mbështet multilateralizmin siç janë Kombet e Bashkuara, G20, G7 dhe mbron rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Pasi tha se janë të vendosur që të vazhdojnë të punojnë së bashku brenda NATO-s me partnerë të të njëjtit mendim, kryesisht SHBA-në, Michel shtoi se prania themelore e BE-së është "uniteti".
Michel nënvizoi angazhimin e BE-së për të përmirësuar fuqinë e saj duke pakësuar varësinë dhe duke marrë mësim nga krizat e fundit. "BE-ja ka nevojë që të rrisë kapacitetin e saj për të vepruar e pavarur në mënyrë që ajo të bëhet më efektive dhe më bindëse në nivel ndërkombëtar", tha Michel.
BE, "udhërrëfyesin strategjik" do ta njoftojë në muajin e ardhshëm
"Ne do të ndjekim edhe interesat tona përballë Kinës si një aktor, partner dhe konkurrent sistemik me të cilin konkurojmë", tha Michel, i cili shtoi se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell do të njoftojë "udhërrëfyesin strategjik" në muajin nëntor dhe se do ta miratojnë atë në samitin e BE-së në mars 2022 e cila do të fokusohet në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
"Përpara Samitit të NATO-s në qershor 2022 do të përpiqemi që me NATO-n të arrijmë një deklaratë të re politike", tha Michel.
Vitet e fundit janë diskutuar shpesh çështje të tilla si aftësia për të vepruar në mënyrë më të pavarur në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë brenda BE-së dhe krijimi i një force të përbashkët ushtarake. Në kuadër të kësaj vazhdojnë përgatitjet e një dokumenti të emërtuar "Udhërrëfyesi strategjik i BE-së".
Liderët e BE-së sot nën organizimin e presidencës së radhës së Sllovenisë marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.